Gjatë ditës së djeshme u bë e ditur se Kryeprokurori i Speciales, Jack Smith, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pasi ai u emërua këshilltar special për hetimet ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Në lidhje me këtë, ka pasur reagime të shumta, ku nga disa reagime është kërkuar që Smith duhet të hetohet për pengim të drejtësisë, duke iu përmendur edhe rrjedhja e materialeve të Specialës në zyrat e OVL-së e më pas edhe në media.
Por, përveç kritikave të fundit ndaj Smith, kujtomë edhe kritikat që ky i fundit kishte marrë edhe nga krerët e UÇK-së, që gjenden në paraburgim në Hagë.
Njëri nga ta, është Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili në njërën nga seancat, ishte përplasur me Smith.
Në fjalën e tij, Krasniqi, i kishte thënë Smith se ky i fundit nuk mund të flasë në emër të popullit të Kosovës.
“Dua të bëj një reagim ndaj prokurorit Jack Smith i cili foli në emër të popullit të Kosovës. Në emër të popullit të Kosovës mund të flasim ne përfaqësuesit e tij”, kishte thënë Krasniqi.
Përveç kësaj, ish-zëdhënësi i UÇK-së kishte deklaruar se, në emër të popullit të Kosovës, mund të flasin vetëm krerët e UÇK-së, e jo ata që duan ta dënojnë luftën shumëvjeçare të Kosovës.
Më tej, ai kishte thënë se për këtë luftë, kombi shqiptar kishte fituar mbështetjen ndërkombëtare, përmes së cilës sot Kosova është shtet i pavarur.
“Në emër të popullit tim, kombit tim dhe të luftës dhe sakrificave të mëdha flasim ne përfaqësuesit e tij dhe jo ata që tentojnë ta dënojnë luftën shumëvjeçare të kombit tim e në mënyrë të veçantë luftën e fundit, për liri, barazi dhe shtetndërtim, për çka kombi ynë dhe ne e kemi fituar mbështetjen ndërkombëtare dhe Kosova sot është shtet i pavarur”, kishte deklaruar tutje Krasniqi.