Kosova njihet si një ndër vendet më të pasura në rajon për rezerva të thëngjillit, por kompanitë prodhuese vendore detyrohen të blejnë thëngjill në Serbi dhe vende të tjera të rajonit.
Për dy vite sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, Kosova importoj 5.8 milion euro të thëngjillit të përpunuar. Krejt kjo ka ardhur si pasoj që Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka shkëput kontratën me kompaninë e vetme të licencuar për shitjen e thëngjillit “Kosova Thëngjill”.
Mungesa e thëngjillit të përpunuar në Kosovë, ka bërë që kompanitë private në vend t’ua mësyjnë tregjeve rajonale.
Nga Kompania “Silcapor”, kompani që prodhon blloqe të betonit, ndërsa thëngjillin e përpunuar përkatësisht të terur e përdor për pjekjen e blloqeve, është duke e blerë tre fish më shtrenjtë thëngjill në Serbi.
Armend Berisha, nga kjo kompani, ka thënë për IndeksOnline se për shkak të shkëputjes së kontratës së “Kosova Thëngjillit”, me KEK-un , ata janë detyruar që të importojnë thëngjill nga Serbia me çmim tre fish më të shtrenjtë.
“Thëngjillin për momentit jemi duke e marrë prej Serbisë, për shkak se nuk ka këtu “Kosova Thëngjilli”, atje jemi duke e marrë me një çmime shumë më të shtrenjtë . Në vend se me marr në Kosovë, si resursin kryesorë që e kemi me miliona tona ne po duhet me shkuar me importua në Serbi.” , tha Berisha.
Ai ka thënë se një tonë nga Serbia ata e blejnë me një çmim prej 200 euro, ndërsa në Kosovë e kanë blerë me 58 euro.
“Llogarite tash unë 200 euro e marr në Serbi tonin a këtu është 58 euro për ton, dallimi është tre fish. Na e përdorim për prodhim”, tha Berisha.
Por, problemi duket se qëndron te fakti se “Kosova Thëngjilli” – kompania e vetme e licencuar për shitjen e thëngjillit të përpunuar në Kosovë – nuk e ka vazhdimisht këtë lëndë, ndërsa kërkesat për të janë në rritje tash e sa kohë.
“Kosova Thëngjilli” është shoqëri aksionare, e krijuar në vitin 2013, në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës – KEK. Ajo e blen thëngjillin nga KEK-u, e përpunon dhe më pas e shet.
Ndërsa Naim Miftari, udhëheqës i shitjes së thëngjillit në “Kosova Thëngjilli”, ka treguar se KEK-u i ka shkëputur kontratën për arsye se e kanë kaluar limitin e paraparë për shitjen e thëngjillit. Kontrata sipas tij është shkëputur nga muaji korrik i këtij viti.
“Arsyeja e vetme ka qenë se ne këtë kontratën e fundit , gjoja se e keni harxhuar sasinë para kohe. Sasinë që ka qenë në kontratë prej 300 mijë tonave e keni harxhuar para kohe edhe për këtë arsye nuk po na lejon me bo kontratë të re. Prej 1 korrik 2022 KEK-u, po e shet edhe iu ka dhënë punëtorëve falë, kurse neve na ka ndalu. Na jemi kompani e licencuar e kemi lejen e punës nga Komisioni i Minierave dhe Mineraleve që do të thotë mundemi me punuar. Por e vetmja arsye e tyre është që pak jemi për thëngjill të terur si ndotës të ambientit edhe e dyta e keni harxhuar sasi në edhe jeni firmë private”, tha Miftari.
Sipas tij, në vitin 2003 KEK-u “Kosova Thëngjillin” e ka ndarë si Shoqëri aksionare pa dëshirën e tyre.
“Neve na kanë ndarë prej KEK -ut në vitin 2003 pa dëshirën ton, pa dëshirën e klasës punëtore në atë kohë s’kemi qenë të informuar na e kanë ndërprerë punë me KEK. Jemi krijuar si Shoqëri Aksionare në atë kohë edhe çdo herë kemi pasur probleme në furnizim dhe në gjitha gjërat tjera . Na kemi pasur të hyra mbi 6-7 milion euro brenda një viti qershor 2021 qershor 2022 prej këtyre përpos pagave dhe tatimeve na i kemi paguar edhe sigurisht 6 milion euro edhe KEK-ut”, tha Miftari.
Sipas tij, nëse nuk ju vazhdohet kontrata nga KEK-u, rrezikohet të mbesin pa punë rreth 160 punëtorë.
Ndërsa nga KEK-u, përkundër insistimeve të IndeksOnline, nuk kemi marrë përgjigje për këtë rast.