Jo veç Fatmir Limaj, edhe Skender Hyseni kërkon front të përbashkët opozitar kundër Kurtit

Lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka kohë që ka kërkuar bërjen e një fronti të përbashkët opozitar kundër kryeministrit Albin Kurtit.

Një gjë të tillë tashmë po e kërkon edhe ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni, i cili thotë se krijimi i frontit opozitar është misioni më i rëndësishëm politik e nacional sot.

“Është thirrje dhe alarm për të parandaluar rrëshqitjen e Kosovës në izolim të plotë. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, me politikën e tyre të rrezikshme dhe izolacioniste po shkatërrojnë çdo gjë që me aq mund është ndërtuar gjatë tri dekadave të fundit në Kosovë”, ka shkruar Hyseni në Facebook, shkruan Reporteri.net.

Postimi i tij:

Krijimi i një fronti të përbashkët opozitar për të kundërshtuar politikat rrënuese të Albin Kurtit dhe noterës së tij Vjosa Osmani është misioni më i rëndësishëm politik e nacional sot.

Është thirrje dhe alarm për të parandaluar rrëshqitjen e Kosovës në izolim të plotë. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, me politikën e tyre të rrezikshme dhe izolacioniste po shkatërrojnë çdo gjë që me aq mund ëshë ndërtuar gjatë tri dekadave të fundit në Kosovë.

Është koha e fundit që opozita parlamentare, PDK, LDK dhe AAK, në rend të parë por edhe ajo jashtparamentare e sociale të rreshtohen qartë dhe pa kalkulime kundër popullizmit neokomunist të Kurtit dhe Osmanit. Pozicionimi konformist i Krasniqit dhe Abdixhikut, në pritje të gabimeve rrënuese të Kurtit është i papranueshëm. Ato gabime mund të jenë të pareparueshme!

Kosova është shtet, mbi të gjitha falë përkrahjes së pakursyer e vendimtare të botës dhe demokracive perendimore me në krye SHBA-të! Qeveria e Kosovës duhet patjeter të pranojë rekomandimet e partnerëve të vendit tonë që të mos mbetet peng i lojrave me targa. Opozita duhet të jet e qartë dhe me zë të lartë të kundërshtojë lojrat mashtruese politike të Kurtit. Ndryshe, të gjithë së bashku po futen thellë e më thellë në grackat e politikës diverzive serbe.

Rruga e vetme pëpara është forcimi i partneritetit dhe komunikimi e koordinimi sistematik me SHBA-të dhe vendet tjera të Quintit. Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jet prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo partie politike në Kosovë.