




“Shëndetësinë e kemi në rrezik”, ka deklaruar shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për sektorin e shëndetësisë.
Sipas Tahirit, ky sektor është në rrezik nga vetë parlamenti dhe Qeveria, dhe se ekziston mundësia që secili punëtor i sektorit publik, përfshirë shëndetësinë, të largohet nga ky sektor.





“Unë mendoj, kolegë deputetë, që në Rezolutën tonë, duhet me pasë parasysh një element, dhe duhet me e kuptu të gjithë: Që këtë sektor e kemi në rrezik, jo prej Serbisë por prej parlamentit dhe prej Qeverie. Prej neve edhe prej Qeverie. E ke rrezikun me ta lëshu punën secili njeri që punon në sektorin publik”, tha ai.
Tutje, Tahiri i ka kërkuar deputetëve të VV’së t’i pranojnë gabimet e t’i kërkojnë Kurtit pse nuk i ka sjell në Kuvend projektligjet për shëndetësinë.





“A bon me dal edhe ju pak prej petkut të partisë së juve që me jau drejtu gishtin njerëzve që iu keni dhonë besim. Qe une po e pranoj, kemi gabu. Po a bon edhe ju me dal me thonë se minimum në Vetëvendosje i ki pesë a gjashtë doktorra të nderum. A bon me dal me thonë edhe ju ‘pse s’i ke pru ligjet’”.
“Mendoj se ia vlen secili prej nesh me qenë vetëkritik. Është e pakuptueshme, e papranueshme që mos me mujtë me i pru ligjet kryesore, strategjitë kryesore dhe disa numra në buxhet për me mujt me përmirësu këtë situatë të rëndë që e kemi”, ka thënë tutje Tahiri.
Tahiri kërkoi që në Kuvend të sillet për votim projektligji për sigurime shëndetësore, projekligji për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, projektligji për produkte dhe pajisje medicinale, projektligji për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, si dhe projektligji i shëndetësisë.