Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, iu është drejtuar deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët ajo i quajti “të diciplinuar” duke iu thënë se po mundohen ta mbrojnë Qeverinë Kurti e t’ia mbulojnë dështimet.
“S’keni faj”, iu tha Musliu deputetëve të VV’së, pasi “gjysa jeni në parapërjashtim”, duke iu referuar raportimeve të fundit për përjashtime të mundshme brenda Vetëvendosjes.
“M’vjen keq prej shumicës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që janë të rregullt këtu, janë të diciplinum e mundohen me çdo kusht me mbrojt Qeverinë e Kosovës. S’keni faj, gjysa jeni në parapërjashtim kanë thanë. Shpresoj që mos t’ju përjashtojnë.”
Duke folur për shëndetësinë, Musliu ironizoi me mungesën e një ministri të shëndetësisë, duke thënë se, me situatën aktuale, po detyrohen ta kërkojnë “ministrin me mindil”, Arben Vitinë, të kthehet.
“Jena bo krajl me na kthy atë ministrin me mindil qetash. A e dini pse? Shëndetësia ka mbet në dorën e një personi që fizioterapeutët e Kosovës i quan masazhera. Kaq din ai për shëndetësi”.
Deputetja e PDK’së përmendi edhe operimin e presidentes Osmani në spital privat, ku tha se kjo tregon shumë për gjendjen e shëndetësisë në Kosovë.
“Shëndetësia e Kosovës e Kosova ka mbet në dorën e një Presidentje, e cila nuk ka besim në sherbimet shëndetësore publike por shkon operohet herë në privat e herë ne Turqi e herë dreqi e din ku, që se kemi marrë vesh hala. Merrni veç këto dy raste dhe shihni gjendjen sot të Qeverisë të Kosovës. E keni pasqyrën më të mirë e ma të qartë, se ku ka ra shëndetësia sot”, tha deputetja Musliu në seancën e Kuvendit.