Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për Tëvë1, ka kritikuar partitë opozitare lidhur me qëndrimin e tyre pro themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Opozita jo vetëm që bën presion tek ne, por edhe dalin ndërkombëtarisht, ata që janë ende në mundësi për të dalë, dalin edhe thonë ‘në qoftë se na ktheni ne në pushtet ne e bëjmë Asociacionin’”, theksoi Bislimi.
Sipas Bislimi, përpjekjet e opozitës për ta marrë pushtetin në Kosovë duke përdorur një nga çështjet më problematike “është rezultat i një urrejtje të madhe ndaj vendit”.
“Në qoftë se dikush për hir të uljes në një karrige është në gjendje me i shitë interesat e shtetit është më të vërtetë e tmerrshme”, shtoi ai.Bislimi: Plani franko-gjerman nuk i adreson dy brengat kryesore
Bislimi ka bërë të ditur se në takimet me ndërmjetësuesit evropianë në Bruksel, ka propozuar që plani franko-gjerman të ndryshohet pasi që nuk adreson dy shqetësimet kryesore të Qeverisë së Kosovës.
“Unë kam thënë që plani nuk i adreson dy brenga kryesore që i kemi ne. E para ka qenë që marrëveshja të jetë finale dhe e dyta që të ketë në qendër njohjen reciproke”, theksoi Bislimi.
Në kontekst të këtyre dy elementeve dhe jo në elemente tjera, sipas Bislimit, “plani më tepër akomodon kërkesën e palës serbe”.
Ndërkaq, ai potencoi se në përpjeket për t’i akomoduar kërkesat e palës kosovare, ka prezentuar një dokument pesë faqësh.“Ne i kemi dërguar pesë faqe me qëndrime të tona për këtë plan. Janë propozime tona për me ndryshu planin”.
Sipas Bislimit, Brukseli e ka problem që në publik të prezantohet si plan franko-gjerman, pasi e konsiderojnë se është produkt i Brukselit.
“Ata mendojnë që në këtë kontekst të krizës edhe në Evropë është e pamundur që të arrihet akomodimi i plotë i mandatit të (Miroslav) Lajçakut që është marrëveshja finale për normalizim të plotë”.
Ndryshe, deri më tani propozimi është përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kurse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka potencuar se është “bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar vazhdimisht se ajo që ka parë është “e vështirë për Serbinë”.
Albanian Post ka publikuar ekskluzivisht “kornizën e re” të dialogut që tani është pagëzuar “Marrëveshja Bazë për statusin e raporteve”.
Gjithashtu, AP përmes burimeve diplomatike ka kuptuar se tashmë është arritur akord në parim për de-eskalim të situatës dhe më së largu të premten (18 nëntor) palët do të dalin për të treguar detajet, ose të paktën njoftimin zyrtar për dakordim.
AP mëson se pala kosovare ka pranuar që të spostojë vendimin për targat pas kërkesave të vazhdueshme të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por për këtë lëshim ka kërkuar një garanci nga partnerët.
Aktualisht po kërkohen modalitete se si do të mund të ktheheshin serbët e Kosovës në institucione, të cilat i lëshuan në mënyrë demonstrative, pasi nuk u pajtuan me shkallëzimin e vendimit për targa, që parashihte në faza qortime, gjoba dhe tabela provuese, për të gjithë ata që s’e kanë bërë kalimin nga tabelat ilegale me “KM” te ato të shtetit me “RKS”.