Emisioni sportiv “Favorit” në T7 ka realizuar intervistë ekskluzive me yllin shqiptar të Kampionatit Botëror, kapitenin e Zvicrës, Granit Xhaka.
Gazetar: Valon Konushevci
Në njërën prej ndeshjeve më speciale në karrierën e tij, atë ndaj Serbisë, golin e rëndësisë së madhe, e kishte festuar duke e formuar shqiponjën dykrenore.
Granit Xhaka kishte dëshmuar në “Botërorin e vitit 2018” se në asnjë moment nuk e harron prejardhjen e tij.
E me krenarinë e origjinës së tij shqiptare nga Kosova, Granit Xhaka ka shkuar edhe në Katar, ku të dielën do të fillojë ngjarja më e madhe e futbollit në planet.
Kosova dhe Shqipëria nuk kanë arritur të kualifikohen as në këtë Kampionat Botëror.
Por, në Katar Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Ardon Jashari duke luajtur për Kombëtaren e Zvicrës sadopak synojnë t’i përfaqësojnë edhe bashkëkombësit e tyre shqiptarë.
Emisioni Sportiv “FAVORIT” i televizionit T7 ka arritur ta realizojë një intervistë me Xhakën, i cili madje në këtë Botëror do të jetë lider i Kombëtares së Zvicrës.
Për shkak të rregullave strikte të vendosura në kampin helvetik në Katar nga Federata e Futbollit e Zvicrës, kapiteni i saj e kishte të pamundur të jap video-intervistë.
Por, në vend të kësaj, Xhaka bëri çmos që t’iu përgjigjet disa pyetjeve që televizioni T7 ia dërgoi me shkrim.
E, përmes kësaj interviste, mesfushori 30-vjeç u ka quar mesazh tifozëve shqiptarë, të cilët i siguroi se do të përpiqet t’i bëjë sërish krenarë.
“Me të vërtet jam krenar që marr pjesë për të tretën herë në Kampionatin Botëror. Do të përpiqem që me lojën time t’i bëjë krenarë gjithë shqiptarët ngado që janë dhe mesazhi im është që çdo shqiptar të ndihet krenar me mua”, ka deklaruar Xhaka për “Favoritin” në T7.
Ylli shqiptar i Arsenalit ka shpreh dëshirën e tij që sa më shpejt t’i shohë në një Botëror edhe dy shtetet shqiptare.
“Dashtë Zoti që në Kampionatin e ardhshëm Botëror të jenë edhe Kosova e Shqipëria”, ka theksuar ai.
Në Botëror Xhaka ka shkuar me një formë të hatashme që po e kalon në këtë sezon në njërën prej ligave më të forta në botë, në Premierligë. Ylli i Arsenalit shpreson që nga forma e tij në Katar të përfitojë Zvicra, e cila ia ka besuar shiritin e kapitenit.
“Shpresoj që edhe në Botëror të bëjë paraqitje të shkëlqyeshme dhe do të angazhohem shumë për këtë. Për mua sikurse për çdo futbollist tjetër është realizim i një ëndrre pjesëmarrja në tri Kampionate Botërore. Unë e kam fatin që të marrë pjesë në Botërorin e tretë si lojtar dhe si kapiten i Zvicrës. Si kapiten i Zvicrës besoj se do ta kryej me nderë, përgjegjësi dhe respekt detyrën e kapitenit dhe do t’i qëndroj me përgjegjësi Kombëtares së Zvicrës”, tha Xhaka.
Zvicra do ta nis aventurën në këtë Botëror në një grup mjaft të vështirë. Helvetikët do ta kenë për kundërshtar edhe njërin prej favoritëve kryesor të këtij Botërori, Brazilin. Në grup me Zvicrën janë Kameruni e Serbia, e cila ka kujtime të hidhura në raport me Zvicrën, nga e cila ishte eliminuar në Botërorin e fundit të mbajtur në Rusi pikërisht me golat e dyshes shqiptare, Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit.
“Po, është një grup i fortë. Por, unë besoj se ne do t’ia dalim ta kalojmë grupin pasi e kemi një Kombëtare të fortë dhe stabile. Të gjithë lojtarët e ftuar nga trajneri jonë janë në formë të mirë, andaj jam optimist”, ka thënë Xhaka për T7.
Derisa Shaqiri do ta shijojë Botërorin e katërt me Zvicrën dhe Xhaka të tretin, për Ardon Jasharin “Katari 2022” do të jetë eksperienca e parë. Futbollisti shqiptar me prejardhje nga Kumanova u ftua befasisht në Botëror në moshën 20-vjeç. /GazetaExpress/