Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, i cili edhe udhëheq procesin e dialogut në Bruksel, ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe kërkesat ndërkombëtare për fillimin e negociatave për themelim, që tashmë janë shpeshtuar.
Bislimi ka thënë se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është që të drejtat e minoriteteve si një temë e rëndësishme të trajtohen në kuadër të pakos së përgjithshme.
“Pse po bëhet pikërisht në këtë kohë, duhet me i pyet ata. Ne kemi arritur në Bruksel një sërë marrëveshjes, për të cilat s’ka pasur një tentativë që ato të rangohen sipas rëndësisë. Për dallim nga Serbia, ne marrëveshjen për Asociacion e shohim si një nga 33 marrëveshjet. Nuk themi janë 32 dhe Asociacioni. Nuk i japim rëndësi që Serbia kishte dashtë me i dhanë. Për ne është shumë me rëndësi që të drejtat e minoriteteve të jenë të mbrojtura, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Po ashtu kjo është e rëndësishme që kjo të trajtohet si pjesë e pakos së përgjithshme. Ky është dakordimi jonë”, ka thënë Bislimi, në një intervistë për Tëvë1.
Bislimi ka qenë kritik ndaj zërave brenda Kosovës të cilët po bëjnë presion për çështjen e Asociacionit.
“Unë e kuptoj kur z.Borell e bënë këtë kërkesë sepse marrëveshja është nënshkruar në Bruksel. Por se kuptoj kur presioni bëhet nga ata që e kanë nënshkruar dhe s’e kanë zbatuar marrëveshjen. Ajo është nënshkruar më 2013 dhe ka pasur katër kryeministra që e kanë mbështetur Asociacionin. Asnjëri s’e ka zbatuar. Tash të njëjtit jo vetëm që bëjnë presion tek ne, por edhe dalin e thonë që nëse na ktheni neve në pushtet ne e bëjmë Asociacionin. Është rezultat i një urrejtjeje të madhe ndaj vendit”, ka thënë Bislimi.