Kreu i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se s’është arritur kurrfarë marrëveshje për targat me Republikën e Kosovës dhe sipas tij raportimet në media janë “propagandë” dhe “luftë informative”.
Ai ka akuzuar edhe mediat në Serbi, si RTS dhe agjencinë e lajmeve Fonet se po i marrin raportimet nga mediat e Kosovës. Petkoviq ka thënë se RTS-ja “s’duhet të bëhet pjesë e raportimeve të tilla”
Zyrtari serb tutje ka thënë se s’ka çfarë të negociohet me Republikën e Kosovës për targat, meqë sipas tij gjërat janë të qarta. Ai ka treguar si kanë kërkuar Brukselit kthimin e targave KS.
“Në Bruksel Vuçiq ka kërkuar qartë që të kthehen targat KS, nuk ka vend për targa të tjera. Këtu vetëm Kurti duhet të tërhiqet me vendimin e tij të paligjshëm dhe kur do ta bëjë këtë?.Askush nuk mund t’i heqë targat KM”, ka thënë Petkoviq.
Petkoviq ka folur edhe për deklaratën e kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi se ka dërguar në Bruksel disa modalitete për targat, duke thënë se s’ka informacione se çfarë përmbajnë ato modalitete.
Tutje ka thënë se serbët s’do të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës derisa thotë se deputetët serbë që janë kthyer kanë bërë vetëm verifikimin Teknik të mandateve.
“Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Prishtinës, këtë e kanë thënë qartë dje deputetët që kanë verifikuar teknikisht mandatet. Qëllimi është mbrojtja e popullit serb. Pas dorëheqjes së dhjetë deputetëve tanë, Kurti e kuptoi se po i hapej rruga që ai të largojë shumicën serbe. Për Asociacionin nuk do të negociojmë në asnjë kornizë. Asociacioni është e përcaktuar qartë me marrëveshje, ne jemi marrë vesh për këtë dhjetë vjet më parë”, ka shtuar Petkoviq./Express/