Lista Serbe është kthyer sot në Kuvendin e Kosovës dhe janë betuar nëntë deputetë e rinj të saj, duke zëvendësuar kolegët e tyre në këtë parti që kanë dhënë dorëheqje.
Pas betimit, deputetët serbë u larguan menjëherë nga salla.
Ndërsa, i ashtuquajturit drejtor i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se zëvendësimi i deputetëve serbë të dorëhequr nga Lista Serbe me nëntë deputetë të tjerë nga kjo parti, në asnjë mënyrë nuk nënkupton kthimin e Listës Serbe në institucionet e Kosovës.
Për Petkoviç, serbët do të kthehen përsëri në jetën politike në Kosovë, vetëm atëherë kur Qeveria e Kosovës heq dorë nga vendimi i saj për targat dhe fillon implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Plani i Kurti ka qenë që vendet e garantuar për përfaqësuesit e Listës Serbe t’i plotësojnë me ata serbë që mbështesin Kosovën dhe atë vetë, jo Beogradin dhe popullin serb në Kosovë”, ka pretenduar Petkoviç.
Zëvendësimi i deputetëve serbë nga nëntë deputetët të tjerë serbë në Kuvendin e Kosovës, sipas Listës Serbe, ka qenë një taktizim i qëllimshëm, për të penguar në mënyrë të drejtpërdrejtë realizimin e planit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili sipas tyre kishte për qëllim ndryshimin e Kushtetutës dhe Ligjeve që garantojnë të drejtat e serbëve në Kosovë.
Duke komentuar kthimin e serbëve në Kuvend dhe deklaratën e Petkoviç, analisti politik Blerim Burjani, ka thënë për “Bota sot”, se është e saktë ajo çka shprehet Petkoviç dhe sipas tij, Lista serbe është destruktive.
Lista serbe nuk u ka liruar vend partive tjera serbe, sipas Burjanit, sepse atëherë do të dilte përgjithmonë nga loja.
“Saktë e ka thënë Petkoviç, Lista serbe është destruktive di në fund çka do. Nuk ua ka liruar vend partive tjera serbe, sepse kështu do të dilte përgjithmonë nga loja. Pra, frika që ata do të zëvendësohen nga serbët tjerë më lojal ndaj Kosovës, ata që ta ruajnë destruktivitetin i kanë pranuar formalisht mandatet që t’i pengojnë partitë tjera serbe në Kosovë”, ka pohuar Burjani.
Sipas tij, ideja është që serbët t’i marrin postet dhe të mos i del kontrolli nga dora e Vuçiqit.
“E gjithë ideja është që t’i marrin postet dhe të mos i del kontrolli nga dora Vuçiqit dhe kështu do të jetë. Domethënë, ata do nuk do të vijnë 6 muaj në Kuvend për të mos humbur, pra thjeshtë që Lista serbe të mbetet e vetmja që t’i mbajë mandatet dhe të bëjë politik Serbia në Kosovë”, ka shtuar Burjani.
Deputetët të sapoemëruar serbë, sipas Listës Serbe, me të marrë mandatin e ligjvënësit kanë lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës.
“Synimi i Kurtit dhe Rade Trajkoviç’it, por edhe të tjerëve si ajo, ishte të votonin ndryshimet kushtetuese që do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe, heqjen e pronave nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe dhe heqjes së drejtës së përfaqësimit ne institucione”, ka pretenduar Lista Serbe.
Sipas tyre ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës.
“Në fund, duam të theksojmë se qëllimi ynë është të mbrojmë popullin tonë, paqen dhe sigurinë, por edhe të mos lejojmë që Kurti dhe Rada Trajkoviç ta qepin një kapele popullit serb dhe të vendosin për fatin tonë”.
Ndërsa, analisti politik Blerim Burjani, ka kërkuar të ndryshohet rregulli për pjesëmarrje të deputetëve.
“Mendoj se duhet të ndryshojë rregulli për pjesëmarrje të deputetëve, nëse nuk vjen apo nuk merr pjesë tri herë duhet të humbë mandati deputeti, sepse gjersa thuhet se nëse nuk merr pjesë gjashtë muaj s’ka asgjë, sepse Lista serbe mbetet në lojë padrejtësisht”, ka përfunduar Burjani.