Kryeministri Rama është akuzuar shpesh për raportet e tij të ngushta me presidentin serb Vuçiç, ku shpesh është thënë edhe prej opozitës se cenojnë interesat kombëtare të vendit. Është pikërisht kjo marrëdhënie si edhe mbështetja për Ballkanin e Hapur që ka krijuar kushtet edhe për një raport jo shumë komod të Ramës me Kurtin.
Ramush Haradinaj e mirëpret një raport të tillë të Ramës me Vuçiçin duke thënë se janë pro çdo hapi të hedhur që çon në një marrëveshje finale me Serbinë, me qëllimin kryesor, anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.
“Po mendoj se ne duhet të gjithë, çdo mundësi, resurs, përparësi të krijuar, ta shfrytëzojmë për diçka të mirë. Dhe kjo miqësi po u shfrytëzua për diçka të mirë, është e mirëseardhur pra. Dhe pse jo, ia vlen me investu gjithë atë që është kriju, gjithë atë që ka ndodhë në Ballkan, që të mbyllen këto çështje të hapura”, ka thënë Haradinaj, raporton abcnews.al.
Tutje, i pari i AAK-së, ka thënë edhe se, Kosova e ka synim të rëndësisë jetike anëtarësimin në NATO.
“Ne si Kosovë nuk e fshehim, ne e kemi synim dhe jo vetëm synim por të rëndësisë jetike, anëtarësimin në NATO. Dhe arsyeja pse nxitojmë për marrëveshjen me Serbinë është që ndonjë nga Defenders të ardhshëm, ushtrimi NATO-s në Ballkan, të na përfshijë si anëtarë të NATO-s, se ne jemi pjesë e ushtrimeve të përbashkëta. Pra, ndihma e kryeministrit Rama, ndihma e politikanëve të opozitës në Shqipëri, e të gjithëve është e mirëseardhur që të mbyllet një çështje kaq me rëndësi”, ka deklaruar Haradinaj.