Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se në kërkesën e partnerëve ndërkombëtare për shtyrjen e afatit për 10 muaj për konvertimin e targave ilegale në RKS, ka munguar strategjia e ndërkombëtarëve se çka ndodhë pas atij afati 10 mujor.
Ai në transmetuesin publik ka thënë se nuk ka pasur garanci se çfarë do të ndodhte pas 10 muajsh dhe nëse të gjitha veturat me targa ilegale në veri të vendit do të riregjistroheshin.
“Na ka munguar strategjia që fshihet prapa këtij 10 muajshi. Ne për propozimin tonë kemi pasur vizion të qartë, çfarë ndodhë në këtë datë, pse ndodhë në këtë datë dhe ku dalim në këtë datë. Ndërkaq, kur thua se unë po mendoj se është mirë 10 muaj por nuk më tregon se çka ndodhë pas 10 muajsh…. Nuk ka pas as ide se çfarë do të ndodhë gjatë 10 muajve. Shtyrja ka qenë objektivi jo instrumenti. Shtyrja ndodh për shkak të shtyrjes. Është një tendencë që gjithmonë problemet të shtyhen për më vonë. Por kur unë pyes se çfarë ndodhë në gusht të vitit 2023, përveç se ju vini e thoni shtyni edhe për 10 muaj, nuk ka pasur përgjigje. Këtu është problemi. Nuk ka pasur strategji të qartë që thotë se bashkë me ju sigurohemi se deri në gusht zhduken tabelat ilegale në Kosovë”, ka theksuar Bislimi.
Ai ka thënë se është legjitime si komunitet ndërkombëtar të kërkojnë shtyrjen për 10 muaj, por po ashtu është legjitime që edhe ai të thotë pse 10 muaj dhe çka ndodhë gjatë kësaj periudhe.
10 muaj është tuneli, ma trego dritën në fund të tunelit”, ka thënë Bislimi.
Në pyetjen snëse e ka parë atë dritë në fund të tunelit, i dyti i ekzekutivit kosovar ka thënë se nuk e ka parë.