Akoma nuk ka kaluar në grupin punues të Bashkimit Evropian për viza propozimi i Çekisë për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Çekia kishte propozuar që vendimi të miratohet, por hyrja në fuqi të lidhej me hyrjen në fuqi të ETIAS-it, por jo më vonë se datën 1 dhjetor të vitit 2023.
Në të ashtuquajturën procedurë të heshtur, sot deri në orën 14:00 vendet anëtare kanë pasur afat për të paraqitur vërejtjet e tyre. Në rast se nuk do të kishte vërejtje, atëherë do të kalonte për miratim ky propozim tek ambasadorët e BE-së.
Por, KOHA mëson nga burime diplomatike se Spanja e ka ndërprerë këtë procedurë duke paraqitur disa vërejtje. Po ashtu, së paku edhe një shtet tjetër ka kërkuar disa sqarime.
Megjithatë, burimet diplomatike në Bruksel pohojnë se Presidenca Çeke tash do të ketë kontakte bilaterale me vendet që kanë pasur vërejtje për të sqaruar këto gjëra në mënyrë që të miratohet vendimi në Këshillin e ambasadorëve të vendeve anëtare, jo më vonë se në fund të këtij muaji.
Mësohet se Spanja do të kishte pëlqyer që hyrja në fuqi të shtyhej për datën 1 janar të vitit 2024, në mënyrë që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për kosovarët të mos ndodhte më 1 dhjetor në kohën kur Spanja akoma do ta kishte presidencën e radhës së BE-së.