Kërkesa e kosovarëve për t’u pajisur me një vizë është bërë rutinë.
Pritje të stërzgjatura në të nxehtë e në të ftohtë, e pagesa e shumave të mëdha të parave, janë ankesat e qytetarëve të Kosovës, kur presin për t’u pajisur me një vizë, qoftë turistike ose edhe të punës.
Ata që presin për një vizë pune thonë se po ikin në kërkim të një jete më të mirë.
Kështu, Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkan që vuan nga regjimi i vizave. Pritjet e qytetarëve para ambasadave vazhdojnë dimër e verë. Madje në qendrën e aplikimit për viza të Zvicrës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, vazhdon të ketë shumë qytetarë duke pritur, raporton televizioni publik.
Kjo situatë i përcjell në vazhdimësi të gjithë ata që dëshirojnë të pajisen me një vizë Schengen apo pune.
“Me pritë për gjashtë muaj për një vizë turistike, kjo është tmerr sepse për viza të punës po e shohim që është krejt rinia, por është mjerim”, thotë Ekrem Dërmaku, banor i komunës së Kamenicës.
Hiç më mirë situata nuk është as para ambasadave të Finlandës, Suedisë, Norvegjisë, Austrisë e Sllovenisë.
Edhe këtu, disa prej qytetarëve kanë zgjedhur të aplikojnë për vizë pune.
“Ka punë edhe këtu, por atje ka një jetë më të mirë”, thotë Zijadin Shaqiri, banor i komunës së Gjilanit.
Pritje të qytetarëve me dokumente të shumta ka edhe para ambasadës gjermane në Prishtinë.
Ndonëse shumica e tyre janë në pritje për aplikim për një vizë turistike, thonë se janë lodhur nga këto procedura.
“Të hiqen vizat është më mirë. Por ka komplikime shumë të mëdha”, thotë Xhevat Bytyçi, banor i komunës së Suharekës.
Në një përgjigje elektronike për RTK-në nga ambasada gjermane, kanë konfirmuar se numri i vizave Schengen të lëshuara për vitet 2020-2021 për qytetarët e Kosovës, ka qenë mbi 25 mijë.
Kështu, brenda vitit 2020, vetëm kjo ambasadë ka lëshuar rreth 8 mijë viza, e ky numër, duke llogaritur edhe kohën e pandemisë.
Ndërkohë, në vitin 2021, e njëjta ambasadë ka lëshuar 16 mijë e 826.
Sidoqoftë, ky numër nuk përbën tërësinë e vizave të lëshuara pasi ka edhe ambasada të tjera nga vende të ndryshme që japin viza Schengen.
Ndërkohë, ambasada gjermane ka bërë të ditur se numri i vizave të lëshuara për vitin 2022 do të publikohet në fillim të vitit 2023.