Avokati Arianit Koci po vlerëson se kryediplomati evropian, Josep Borell dhe emisari për dialogun, Mirsolav Lajçak, nuk duhet të qëndrojnë në këto pozita.
Krejt këtë, avokat Koci e lidh me qëndrimin e Spanjës dhe Sllovakisë për heqjen e vizave, shtete këto që u raportua se e kanë refuzuar nismën e Çekisë, njëherit, edhe vendet prej nga e kanë prejardhjen dy diplomatët e lartëpërmendur.
“Prandaj, asnjëri prej tyre nuk kanë kredibilitet të qëndrojnë në postet e tyre, në raport me Kosovën. Borell dhe Lajčâk go home”, ka shkruar ai.
Sidoqoftë, vlen të përmendet që Borell është shef i diplomacisë evropiane, dhe pozita e tij nuk ka të bëjë specifikisht me shtetin e Kosovës.
Ndërkaq, avokati tutje vlerëson se derisa të dy mbajnë këto pozita, nuk do të ketë marrëveshje të favorshme për Kosovën.
“Kjo edhe po dëshmohet me lojën që po na bëhet me liberalizimin e vizave, sado që po thuhet se liberalizimi dhe negociatat me Serbinë, janë dy gjëra të ndryshme”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i avokatit Koci në Facebook:
Spanja dhe Sllovakia nuk e kanë njohur Kosovën.
Spanja sot e ka bllokuar liberalizimin e vizave.
Spanjolli Josep Borell dhe sllovaki Miroslav Lajčák, në një mënyrë e kanë fatin e Kosovës në duar, sa i përket negociatave me Serbinë.
Prandaj, asnjëri prej tyre nuk kanë kredibilitet të qëndrojnë në postet e tyre, në raport me Kosovën.
Borell dhe Lajčâk go home!
Derisa janë këta dy në lojë, asnjëherë nuk do të ketë marrëveshje të favorshme për neve.
Kjo edhe po dëshmohet me lojën që po na bëhet me liberalizimin e vizave, sado që po thuhet se liberalizimi dhe negociatat me Serbinë, janë dy gjëra të ndryshme.