




Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se logjika qeverisëse e kryeministrit Albin Kurti, nuk përkon me kohën.
Ai, në një bashkëbisedim me qytetarë të Junikut, ka thënë se Qeveria e ka menaxhuar dobët përpjekjen për marrëveshje me njohje reciproke Kosovë-Serbi.
“Në Junik bashkëbiseduam me qytetarët për marrëveshjen për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe shqetësimin e rrjedhave të situatës dhe mënyrës së dobët se si qeveria e ka menaxhuar këtë proces me rëndësi jetike për vendin.





Theksova shqetësimin tim për logjikën qeverisëse të Kurtit, që nuk përkon fare me kohën në të cilën po jetojmë, mashtrimin dhe varfërimin e vazhdueshëm të qytetarëve nga ana e tij, krizën e thellë ekonomike dhe energjetike”, ka shkruar ai.
Haradinaj ka thënë se një dezertim i qeverisë në këtë kohë, dëmton rëndë shtetin dhe kauzën e saj.
“Për hir të interesave nacionale, Aleanca do të ofrojë përkrahjen e saj për proceset pozitive që hapin dyert tona në NATO dhe na vendosin nën ombrellën e sigurisë dhe stabilitetit. Përndryshe, një dezertim i mundshëm në këtë situatë, për arsye të ndryshme folklorike, do ta dëmtojë rëndë shtetin dhe kauzën tonë”, ka njoftuar Haradinaj.