




Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, është shkarkuar nga pozita e koordinatorit të Qendrës së LVV-së në Rahovec për shkak të qëndrimit të tij për projekt Kodin e ri Civil.
Ai, duke folur në emisionin Pressing, ka thënë se Kurti i ka njohur qëndrimet e tij kur e ka marrë në parti dhe e ka kandiduar në zgjedhje.





Analisti Shkëlzen Gashi e ka pyetur Korenicën nëse ai e ka njohur kryetarin e VV-së, Albin Kurti.
“Ju më herët thatë se z. Kurti e ka ditur kush është Korenica, i ka ditur qëndrimet për Kodin Civil. Mirëpo, a e ka ditur Korenica se kush është z. Kurti?”
Deputeti është përgjigjur duke thënë vendosmërisht “Po”, por pastaj ka thënë se pjesën e qëndrimit të Kurtit për të drejtat e komunitetit LGBTI, nuk e ka njohur deri tani.





“Nuk i kemi ditur, në këtë fazë nuk i kemi ditur”.
Gashi tha se Kurti i kishte bërë publike qëndrimet e tij.
“I ka pasur publike, në këtë emision ai ka thënë se duhet të respektohen të drejtat seksuale të komuniteteve”, ka thënë ai.
“Pse keni pranuar të jeni pjesë e një partie që kryesohet nga dikush që është pro të drejtave të komuniteteve seksuale?”, ka pyetur ai.
“Nuk ka pasur asgjë të shkruar në programin e Lëvizjes Vetëvendosje”, është përgjigjur Korenica.
Korenica nuk është përgjigjur nëse ndihet i shkarkuar nga VV. Ai ka thënë se do të vazhdojë të jap kontribut në Vetëvendosje dhe të jap kontribut në implementimin e politikave të majta. /GazetaExpress