Shkruan: Miranda Shala
Albin, s’mjaftoka te flasësh bukur. Paskam gabuar!
Rreth dy vite më parë, në kohën e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti 1, pata shkruar plot emocion për 1 mijë arsyet se pse ai mocion nuk duhej të ndodhte. Për 1 mijë arsyet se pse ata që e votuan rrëzimin e qeverisë ishin thjesht disa të paditur e të padenjë për të qenë në karriget ku uleshin. Duke i kritikuar për mangesitë e tyre, pata menduar se Kurti me të vetët do të jetë ai që do të sjellë një jetë ndryshe në vend.
Pra, jo shumë kohë më parë shkrova edhe për 1 mijë arsyet që ai ishte i duhuri për ta bërë këtë vend. Por siç duket, gjithë meritat që i paskam dhënë paskan qenë të bazuara thjesht nga irritimi ndaj atyre që kishte përballë, jo se ai realisht ishte aq i përkryer sa une e shihja.
Nejse, vetëm pak kohë më pas, Albini me një mbështetje të madhe nga populli arriti sërish në krye – eufori e paparë në vend – por që nga ajo kohë, unë se pashë më Albinin te kafja në parkun e qytetit ku e shihja më parë, se pashë as në rrugë diku duke ecur vetëm.
Tha se do të ndryshonte vendin, por ndryshoi ai – u bë si gjithçka që kishte thënë se nuk bëhej. Prandaj them se, madhështia që kishte fituar në sytë e mi e të popullit, s’paska qenë meritë e tij – thjesht, lodhja e zhgënjimi nga të tjerët s’na paska pas lënë rrugë tjeter – paskemi dashur të besojmë, paskemi pasur nevojë të besojmë te dikush ndryshe. Domethënë, ti Albin thjesht paske qenë në vendin e kohën e duhur, jo se paske qenë i duhuri.
Pata shkruar: Jam me ty, me Vjosen, jam me ju se ju jeni me popullin. Aq na kishit bindur sikur e nesërmja e ditës që ju do të fitonit do ishte me diell. Eh, paskam gabuar, në fakt ndryshoi diçka, por jo për më mirë… E di Albin ti? Edhe deputetët e tu kanë probleme me shkrim-lexim, madje edhe me sjellje e nerva, edhe ata lexojnë teksa mundohen të thurin nja dy fjali para popullit, edhe ata doli se kanë qenë me 1-sha. Kushërinjtë, dajat e tezet e tyre thjesht zëvendësuan nëpër pozita kushërinjtë e dajat e atyre që ishin.
Albin, nuk solle ndryshimin që populli e priste nga ty.
Teksa zhvillohej mocioni, pata menduar se ata që flasin kundër teje, janë vetëm marioneta në duart e të tjerëve që thonë po, pa guxuar të kontestojnë urdhërin që u jepet. Po tani Albin, po ata tuajt?! Ehh, ata tuajt po ia dalin të dështojnë me sukses secilën herë. Ti po zë vendin e tyre – sa je kryeministër, shpesh president, sa bëhesh ministër e jo më rrallë zëdhënës – mos na befason e na del edhe piktor një ditë. Sikur të ka mbetur pak syri…
Pra Albin i nderuar, je bërë gjithçka që s’duhet të jesh veç asaj që duhet të ishe. Je shndërruar në gjithçka që se kemi menduar, apo kështu ke qenë gjithmonë, por ne s’paskemi parë siç duhet.
Lëre që s’na bëre vend në Kosovë, por me politika idiote duket se s’do na lësh as ndonjë vend ku mund të ikim. Jo të gjithë më, po të besojnë symbyllurazi.
E nisim me mua, s’më ke në krah e jam e sigurt që s’i ke as bashkëmoshatarët e mi, që vetëm dy vite më parë ishin gati të bënin çmos që ti të dilje në krye. Jo vetëm që si ke në krah, si ke as në Kosove më. Po ikin kryeministër, po ikin çdo ditë, me apo pa dëshirë. Po ikin se nuk u bëre vend në këtë vend.
Po mbetesh vetëm kryeministër, vetëm me ata që duken thellësisht të dashuruar me fjalët e zgjedhura e të thëna bukur, por që se kuptojnë dot se çka thua realisht.
Me keqardhje, erdhe në pushtet i portretizuar si luan, por duket se do të përfundosh në një “çoban delesh”.
Atëkohë, ndoshta duke ecur mes njerëzve po shihje më mirë. Se di, ndoshta tani ato xhamat e zi që i shaje pafund ta kanë shkurtuar pamjen edhe ty…
As ndërmend s’më kishte shkuar se do të vijë dita që atë mocionin që me zell e dënova, po ta kisha në dorë, tani pa pikë dyshimi do e votoja.