Një betejë gjyqësore për pasurinë e afaristit të ndjerë Latif Kryeziu tashmë ka nisur në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Fëmijët e të ndjerit janë duke u përplasur mes vete.
Motra është ankuar se vëllezërit e kanë përzënë nga hisja. Asaj nuk i lejohet qasja në firmën Al Petrol e Royal, të kontrolluara nga vëllezërit e saj Arbër e Lulëzim Kryeziu.
Ka rreth shtatë muaj që vajza e biznesmenit të ndjerë Latif Kryeziut ka denoncuar vëllezërit e saj në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ajo është ankuar se vëllezërit e kanë përzënë nga hisja në kompanitë multimilionëshe të themeluara e udhëhequra nga babai i ndjerë.
Dy prej tyre janë të famshme: Al Petrol/Shell dhe Royal. Ajo ka kërkuar ndihmë nga gjykata. Ka kërkuar që të ndalohen vëllezërit e saj njëri prej vëllezërve, sipas denoncimit të saj në gjyq.
Po ashtu, motra është ankuar se njëri prej vëllezërve të saj edhe e ka sulmuar, në momentin kur ka kërkuar hise në bizneset e babait. Një seancë gjyqësore është mbajtur sot.
Është shqyrtuar propozimi i vajzës së të ndjerit për të vendosur Masë Sigurie në bizneset multimilionëshe që kontrollohen nga vëllezërit e saj.
Çka ndodhi sot në seancë?- Ky është versioni i motrës
Trashëgimtarja e të ndjerit Latif kryeziu, propozuesja V.K, kërkon caktimin e masës së sigurisë në pjesën e pasurisë të lënë nga babai i saj tani i ndjerë në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe aksionet e trashëguara në “Al-Petrol”, ndaj familjarëve të saj- kundërpropozuesve H.K, Arbër Kryeziu, Lulzim Kryeziu, H.K dhe M.K.
Përfaqësues të propozimit të masës së sigurisë për V.K ishin Arianit Koci dhe Gerta Ragipi të cilët ishin prezent në seancë.
Avokati Koci në këtë seancë deklaroi se mbetet tërësisht pranë propozimit për masë të sigurisë.
I njëjti shtoi se propozuesja V.K si trashëgimtare ligjore e të ndjerit Latif Kryeziu që dy vite është privuar që ta gëzojë masën trashëgimore që i takon dhe kur e ka kërkuar të drejtën e saj është sulmuar nga njëri prej vëllezërve të saj.
Ai po ashtu bëri edhe zgjerimin e propozimit për masë të sigurisë, duke shtuar edhe dy prona të tjera, të cilat gjenden në Shqipëri, duke e bazuar këtë zgjerim ndaj pronave në nenin 146, paragrafi 1, të Ligjit për Trashëgimi.
Tutje, avokati Koci deklaroi se propozuesja ka pohuar se i është thënë “ty nuk të takon hise as çka po don se je femën”.
Gjithashtu, ai tha se propozuesja ka pohuar edhe se pasi që vëllezërit e saj janë persona me ndikim, e kanë penguar të marrë informata lidhur me kompaninë “Al-Petrol”.
“Vetë kërkesa për masë të sigurisë 30 milionëshe në një mënyrë e arsyeton propozomin e propozueses për garancion”, tha ai sot.
Sipas parashtresës për propozimin e masës së sigurimit të 25 majit 2022, të bërë nga paditësja V.K, kundër të paditurve/kundërpropozuesve H.K, Lulzim Kryeziu, H.K, M.K, të gjithë trashëgimtarët e të ndjerit Latif Kryeziu, thuhet se propozuesja është penguar vazhdimisht në realizimin e të drejtave të veta nga kundërshtarët e propozimit, deri në atë masë që e njëjta nuk ka asnjë informatë lidhur me pasurinë trashëgimore.