Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja përfundimtare me Serbinë për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve do të arrihet në dy vitet e ardhshme.
Gjatë një interviste për agjencinë austriake të lajmeve “APA”, Kurti ka thënë se marrëveshja do të përfshijë edhe çështje tjera pos njohjes reciproke, që do të jetë në qendër.
Ai ka folur edhe për planin franko-gjerman. Ka thënë se është bazë e mirë për diskutime, por se ka edhe shumë mangësi.
“Plani franko-gjerman është një bazë e mirë për diskutime. Është pozitive që është e bazuar në vlera dhe jo vetëm për zgjidhjen e problemeve si qasjet e mëparshme. Ka shumë mangësi, por është një pikënisje e mirë”, ka thënë Kurti.
Në ntervistën e realizuar nga Judith Egger nga “APA”, Kurti ka folur edhe për Asociacionin për të cilin ka thënë se mbetet jokushtetues dhe i parealizueshëm.
Ndryshe, Gabriel Escobar, i dërguari i Presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë të dhënë në muajin tetor, kishte deklaruar se arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është çështje javësh.
“Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh”, ka thënë Escobar në një intervistë për Kanal 10.
Escobar kishte thënë se marrëveshja duhet të jetë e shpejtë, por se caktimi i afatave kohore u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesve.
“Për një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodhë, secili duhet të marrë përgjegjëi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon. Ne do të donim ta shihnim Kosovën të rreshtohet më shumë sa i përket çështjeve të stabilitetit rajonal dhe kjo është rruga për ta bërë”, ka shtuar Escobar.