Analisti Gazmir Raci duke folur për vizitat e paralajmëruar në SHBA nga liderët e opozitës, Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku, ka ngritur pikëpyetje se këto po organizohen nga një kompani lobuese.
Raci, i tha Nacionales se nëse janë organizuar nga kompania lobuese, do të duhej të tregonin edhe sa kanë kushtuar këto vizita.
“Sa i përket partive opozitare, duket që e njëjta kompani lobuese po e organizon vizitën e dy liderëve opozitare. Nëse janë organizuar nga kompani lobuese atëherë do ishte e logjikshme të na tregonin edhe sa kanë kushtuar këto vizita”, ka thënë ai.
Veç tjerash, analisti për Nacionalen tha se shtyrja e vizitës së ministrave në ShBA deri sa vendi po përballet me një krizë politikeështë diçka e zakonshme.
“Është mirë që bëhen vizita të tilla nga Kosova në SHBA, sepse Amerika është aleati ynë kryesor strategjik. Zakonisht kur ka debate e diskutime brenda vendit pët tema të interesit nacional vet qeveritarët i anulojnë gjitha udhëtimet jashtë vendit dhe do ishte jo e logjikshme përderisa kemi komuna pa kryetarë e pa asambleistë e ministri i Pushtetit Lokal të jetë jashtë vendit, ose ministrja e Drejtësisë në kohën kur gjykatat dhe prokuroret atje janë zbrasur nga punonjësit serbë të Kosovës etj.”, u përgjigj z.Raci.
Vlen të theksohet se disa ministra dhe kryetarë komunash kanë konfirmuar se u janë shtyrë vizitat në SHBA, pas zhvillimeve në veri të Kosovës.
Ndërkaq, Abdixhiku e Krasniqi, do të qëndrojnë në SHBA për vizita gjatë javës së ardhshme.