Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka folur për kërkesat e vazhdueshme nga SHBA që Qeveria e Kosovës ta rishqyrtojë vendimin për targat.
Ministri Sveç֛la ka deklaruar se raportet e Kosovës me SHBA-në janë “jashtëzakonisht të mira”.
“Nuk është çështje e targave, është shumë më serioze. Nuk është problemi aty o Fidan, me Amerikën kemi raporte jashtëzakonisht të mirë. Unë këtu erdha nga ditëlindja e marinës së ushtrisë amerikane. Më falënderuan për punën e bërë”, ka deklaruar Sveçla në “DPT te Fidani” në T7.
Sveçla ka thënë se amerikanët janë gardianë të demokracisë.
Ai ka thënë se ai dhe bashkëpunëtorët e tij në qeveri nuk janë kokëfortë me Amerikën, por ka thënë se argumentet fitojnë kur merren vendimet.
“Nuk është çështje zhgënjimesh, por e mendimeve të ndryshme. Argumentet fitojnë. Kjo është çështja, jo se kemi ndonjë kokëfortësi apo kapadaillëk”, ka thënë ministri.
“Ne mendojmë se miqësia mes Kosovës dhe Amerikës, nuk është miqësi që prishet. Ka themele të hershme dhe të thella”, ka vazhduar ai.
“Nuk jemi kokëfortë, nuk kemi qëndrime irracionale. Kemi të bëjmë me një keqkuptim. Ne po punojmë ditë e natë për më të mirën e këtij vendi”, ka deklaruar Sveçla. /GazetaExpress