Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris. Në një diskutim që ka pasur në kryeqytetin francez, kreu i Qeverisë së Kosovës ka folur për bazat e ushtrisë së Serbisë në afërsi të vijës kufitare me Republikën e Kosovës.
Kurti ka thënë se në afërsi të vijës kufitare janë 48 baza operative të Serbisë, 28 prej tyre me xhandarmëri dhe 20 më ushtri.
Ai e ka cilësuar këtë fakt si rrezik për Kosovën, por thotë se Kosova s’është e frikësuar meqë Kosova e ka NATO-n brenda edhe pse Kosova ende s’është në NATO.
“Rreth kufirit të Kosovës, ka 48 baza operative të Serbisë. Të 28 janë me xhandarmëri dhe 20 me ushtri. Ky është një rrezik për vendin tonë, por s’jemi të frikësuar. Kosova s’është në NATO, por Kosova e ka NATO-n brenda”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Ai tutje ka treguar edhe synimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e PFP [Partneritetit Për Paqe] në kuadër të NATO-s.