Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, thotë se plani franko-gjerman është një bazë e mirë për të shtyrë përpara procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Krasniqi thotë se ky plan krijon një realitet të ri që i mundëson Kosovës ecjen përpara nga status-quo-ja ekzistuese.
“Elementet e planit na janë thënë dhe komunikuar edhe në takime të tjera të mëhershme me miqtë ndërkombëtarë. Normalisht është një plan si i tillë vështirë që të pranohet apriori, por është një bazë e cila krijon një mundësi për të negociuar dhe diskutuar. Krijon një mundësi, ndoshta një realitet të ri, që i mundëson Kosovës ecjen përpara nga status-quo-ja ekzistuese. Andaj nuk mund të thuhet se është i lehtë që të pranohet si i tillë, por meqenëse nuk ka një qasje ‘merre ose leje’, ne duhet si shtet dhe institucione që të shprehim gatishmëri për të trajtuar seriozisht, diskutuar me partnerët ndërkombëtarë dhe për t’u orvatur në arritjen e një dakordimi të një teksti që vërtet ka bazë elementet kryesore të objektivave tona shtetërore”, thotë ai.
Lidhur me zhvillimet në veri, lideri opozitar për KosovaPress thotë se Qeveria dhe institucionet e Kosovës janë në të drejtën e vet kur kërkojnë zbatimin e vendimeve legjitime dhe kushtetuese. Mirëpo shton se në raste të tilla duhet të ketë parasysh kostot dhe benefitet e këtyre vendimeve.
Sipas tij, kosto e vendimit për targat ilegale është më e madhe se sa benefitet e tij. Në këtë formë, ai thotë se po shërbehet komplet procesi i integrimit të komunitetit serb në veri.
“Është në drejtën e vet Qeveria dhe institucionet e Kosovës kur kërkojnë zbatimin e vendimeve legjitime. Ne e kemi mbështetur dhe mbështesim Qeverinë në këto veprime legjitime dhe kushtetuese. Por gjithmonë në situata të tilla duhet të kenë parasysh kostot dhe benefitet. Pasi mund të kemi benefite, por mund të kemi një kosto të madhe. Sot po e shohim se është duke u shpërbërë komplet procesi i integrimit të komunitetit serb në pjesën veriore të vendit, si pasojë e çështjes së targave. Kërkesa e partnerë amerikanë për shtyrje 10 mujore nuk është kërkesë për të hequr dorë nga sovraniteti nga të drejtat tona legjitime dhe kushtetuese, është kërkesë për t’i dhënë mundësi procesit të dialogut dhe diskutimit të planin franko-gjerman që mund të jetë një bazë e mirë për të shtyrë përpara procesin e dialogut dhe pasur një qasje të re e cila padyshim duhet të ketë një bazament arritjen e qëllimeve shtetërore të vendit tonë”, deklaron Krasniqi.