Me çmime nderuese i dekoroi presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, dy ish-pjesëtarët e drejtorisë së Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriç dhe Aleksandar Filipoviç, pasi këta të fundët refuzuan urdhërat qendrorë të shtetit të Kosovës rreth targave ilegale serbe në pjesën veriore, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në një ceremoni të organizuar enkas për ta në Beograd, Vuçiç i dha titullin “Urdhri Meritor për Siguri dhe Mbrojtje” Nenad Gjuriçit, e cila, sipas mediave serbe, u dhurohet për performancë shembullore të detyrave për siguri dhe mbrojtje derisa Filipoviçit ia dha Medaljen e Artë për Guxim “Millosh Obiliç”.
Vuçiç i quajti që të dy heronj të popullit serb.
“I dashur Nenad dhe Aleksandar, veprimet e juaja të qeta, të kompozuara e megjithatë të vendosura, ju vendosën juve në mesin e atyre heronjve të përditshëm për të cilët flitet. Ne jemi krenar që ju trashëguat pjesën sublime të lirisë së paraardhësit tonë. Ju iu bindët urdhërave të shtetit tuaj edhe kur s’jeni pajtuar me vendimet e tij”, ka thënë Vuçiç.
Nenad Gjuriç u suspendua për refuzim të urdhërave qendror dhe thirrje për rezistencë ndaj urdhërave policore. Pas suspendimit të Gjuriç nga pozita e drejtorit rajonal për Mitrovicë të Veriut, afro 600 pjesëtarë serbë të policisë së Kosovës u dorëhoqën nga forca policore.
Serbët janë tërhequr nga institucionet e Kosovës të shtunën pas nisjes së zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e targave “KM, PZ etj” të cilat lëshohen nga MPB-ja serbe për qytetarët serbë të Kosovës në pjesën veriore.