Aksioni i bujshëm i sekuestrimit të villave në Brezovicë ka përfshirë edhe dy vëllezërit biznesmenë të ish-presidentit Hashim Thaçi. Secili ka nga një villë të ndërtuar në ketë zonë turistike.
Por, prej datës 11 tetor nuk mund t’i shfrytëzojnë më.
Lidhur me këtë rast, por edhe me rastet tjera Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorit, për sekuestrimin e përkohshëm të villave në Brezovicë.
Lajmin për sekuestrimin e përkohshëm të 75 pronave e ka konfirmuar për “Betimin për Drejtësi”, Shaqë Curri, gjykatës i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Pejë.
“Kam urdhëruar sekuestrimin e përkohshëm”, ka thënë Curri, transmeton Gazeta Insajderi.
Vikend-shtëpizat e ndërtuara ilegalisht në zonën e dytë të parkut kombëtar “Sharri” u sekuestruan muajin që shkoi. Atyre iu ngjitën shiritat i Policisë dhe iu ndaluan punimet. Pronarët e tyre do të njofton për sekuestrimin e tyre.
Prokurori i operacionit “Brezovica”, Rasim Maloku, në një intervistë për Gazetën Insajderi tha se janë në pritje të vendimit të Gjykatës për rrënimin e tyre.
“Ne do të paraqesim kërkesën tek gjykata për rrënimin e tyre. Është vendimi përfundimtar i gjykatës që me i rrënu këto objekte, është çështje ligjore dhe besojmë që edhe gjykata do të marr vendim për rrënimin e tyre”, tha Maloku.
Maloku tregoi për aksionin e ndërmarr para pak javësh në këtë zonë.
“Është duke vazhduar aksioni në rastin “Brezovica”. Jemi duke bërë sekuestrimin e të gjitha Vikend- shtëpizave që gjenden të ndërtuara në zonën e dytë të parkut kombëtar “Sharri”, ku është i ndaluar ndërtimi por për shkak të veprimit korruptive të zyrtarëve është ndërtuar edhe në këtë zonë dhe tani pas një inspektimi qe kemi bërë muajin e kaluar jemi duke bërë sekuestrimin e objekteve”.
Ndonëse nuk i bëri të ditur me emra, Maloku tha se pronarët e këtyre villave janë personat që po hetohen nga prokuroria. Disa nga ta janë në paraburgim e disa me masa të tjera.
“Disa nga të dyshuari janë nën hetim disa janë në paraburgim e disa në masa te tjera. Vikend-shtëpizat e sekuestruara që janë rreth 80, disa nga to ishin në fazën fillestare të ndërtimit, disa në përfundim e disa të përfunduara. Rreth 80 vikend shtëpiza do të sekuestrohen. Disa janë në fazën fillestare disa janë të përfunduara e disa në përfundim. Kjo është kurorëzim i të gjitha aksioneve, efekti të gjitha operacioneve janë sekuestrimi i këtyre villave”.
Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.
Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.