Aktivisti Rron Gjinonvci në konton e tij në rrjetin social ka reaguar me ashpërsi ndaj disave që ai i konsideron jo parimor, këta që po e kritikojnë posaçërisht atë dhe Shkëlzen Gashin, dhe ka renditur ato që ai i konsideron argumente sipas tij, po nuk pati aty tjetër përveç ofendimeve dhe thumbimeve, transmeton Gazeta Metro.
Nuk mund të thuhet se Gjinovci ka hezituar të shprehë mendimin e tij në publik për ndonjë çështje, e as nuk ka hezituar të hedhë ngjyrë si aktivist i Vetëvendosjes në protesta. Nuk ka hezituar as të kacafytet e të shahet me këdo që i del në rrugë e s’pajtohet me të. S’kurseu as mësuesit që pati shkruar se janë shumica budallenj, e të cilët i mban të vetmit si përgjegjës për dështimet e pretenduara në arsimin kosovar.
Nuk ka hezituar të kritikojë edhe pushtetin e tanishëm kosovar, me raste.
Këtë herë nuk iu adresua dikujt drejtpërdrejtë por sipas përgjigjes merret me mend se dikush e ka kritikuar atë dhe Shkëlzen Gashin për qasjen e tyre ndaj qëndrimit të qeverisë rreth krizës në Veri, që sipas të shumtëve në opinion e poashtu edhe të aleatëve e Kosovës se ishte qeveria e Kosovës që i kontribuoi krizës.
Me terminologji revolucionare alla VV, ai i përcakton kritikët e tij, pa dallim, si përfaqësues të ‘Regjimit të Vjetër’ (L’Ancien Régime quhej nga revolucionarët francezë mbretëria franceze në shekullin 18 të cilën e përmbysën me gjakderdhje të tmerrshme, e që prodhoi vetëm diktaturë perandorake e luftë e në gjithë Evropën me Napoleon Banapartën). Si e quajnë historianët sot atë periudhë ‘të lavdishme’, koha e sundimit të terrorit e quajnë. Edhe revolucionarët asokohe kishin këtë besim të madh në virtytet e tyre të pamohueshme, të padiskutueshme.
“Arsyeja pse ju të regjimit të vjetër na urreni mu e Shkëlzen Gashin është se sun na bini në fije. Në pikëpamjen tuj, përkrahja jonë për Qeverinë (kur ia japim) është e pakuptimtë. E pakuptimtë sepse ju duket e papranushme edhe e pabesushme që na s’përfitojmë kurgjo prej tyne, ama bash hiç kurgjo” ka shkruar Gjinovci.
Nuk njihen në opinion e as janë përfolur në media Gjinovci e as Gashi që përfitojnë nga VV’ja, madje të dy nuk janë më në Vetëvendosje, nga ku ishin larguar në rrethana të ndryshme. Madje Gashin e kishte shkarkuar vet kryeministri Kurti nga posti i këshilltarit të tij. Edhe sikur të përfitonin siç pretendon se po i akuzon dikush, do të ishte normale që aktivistë afatgjatë si këta të dy të ishin afër VV’së sot. Edhe po të kenë kontakte të fshehta siç shkruan Gjinovci nuk do të ishte farë çudie, janë çështje private të tyre.
“Që na kena kontakte të fshehta me ta dhe se herët a vonë kena me përfitu naj post a najsen. Ama kjo punë po zgatë, qe sa mo na hala s’kena përfitu. A jon kta normal? E dyta ju kallë krejt. Mundësia që na s’jena tu e bo këtë sen për përfitim, por për arsye parimore ju çmend krejt. Për juve është e papranushme dikush me pasë parime, se ju vet s’keni. E papranushme është me kon si unë e Shkëlzeni se automatikisht ju delegjitimoheni. Ju dilni siç jeni, të shitun e të blemë.”
Hajde qenkëshin të shitur kritikët e tyre sipas tij. Të gjithë janë të shitur? Apo ka edhe të tillë që edhe mund të mos pajtohen në parim me veprimtarinë e ideologjinë e qeverisë. S’ka hapësirë për diskutim a mes për t’u arritur apo mundësi që edhe gabon qeveria pahiri? S’ka dallim të cekur nga Gjinovci. Kjo do të ishte në përputhje me qëndrimin e atyre gjoja revolucionarëve francezë që e kishin fetish gijotinën.
Gjinovci nuk njihet për modesti në paraqitje publike, e kundërta madje. Në rregull edhe kjo. Veç përpara e suksese. Edhe thumbimet janë pjesë e lirisë së fjalës, e janë të mirëpritura madje kur kanë stil e kulturë siç pretendoi Gjinovci se e ka me tepricë. Po s’ka hapësirë më sipas tij për këta të regjimit të moçëm, i ka hedh ngjyrë Gjinovci e i ka damkosur, s’kanë më çka lypin në opinion publik këta. Po nëse i fitojnë i zgjedhjet përsëri këta të regjimit të moçëm, si do të duhej të vepronin këta me ‘regjimin e këtyre parimorëve’ ? Ti trajtojnë si Gjinovci që i ka damkosur si jo parimor me ngjyrën që e hodhi më 2011 e tani konsideron se duhet të mos përfillen në diskursin publik.
“Shto kësaj faktin që na ju sosim se jena ma t’mençëm se ju, larg ma t’mençëm. Bile edhe ma të kulturum. E po ashtu shumë gjatë në maratonën e avancimit të interesit publik. Unë prej 2008 kur kom hi në VV ose 2011 kur e kom gju rektorin me ngjyrë. E Shkëlzeni prej maslufte kur ka qenë student akticist. Na ksajde jena, gjith parimor, e ju tu i ndrru pronart që ju blejnë e shesin.”
E shtoi një thumb Gjinovci në postscriptum. Ka mundur më mirë./gazetametro.net