Kusari-Lila tregon nëse Kurti e ka ndërmend ta shtyjë vendimin për targa

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se nuk ka ndonjë informacion që Qeveria e Kosovës planifikon ta shtyjë vendimin për targat, sipas kërkesave të faktorëve perëndimorë.

Ajo, në emisionin “DPT te Fidani”, ka thënë se sundimi i ligjit në Kosovë, mbetet qëllim primar për qeverinë.

“Është një situatë delikate dhe ka nevojë për një vëmendje të shtuar. Rendi dhe ligji dhe shteti ligjor mbeten primare. Nuk kam ndonjë informacion se do të ndryshohet vendimi, apo se do të shtyhet zbatimi”, ka deklaruar ajo.
Kusari-Lila ka thënë se Qeveria e ka senzibiluar mjaftueshëm opinionin dhe u ka ofruar serëbëve mundësinë për ndërrimin e targave gjatë muajve të kaluar.

Ajo ka vlerësuar se çështja e targave është mbulesë e Serbisë për të krijuar tensione. Sipas saj, po të mos ishte kjo çështje, Serbia do të gjente diçka tjetër.

“Serbia di të krijojë këso situata si kjo me tabela. E dimë rastin edhe me trenin e famshëm me mbishkrimet e famshme nacionaliste e fashiste. Ishte po ashtu edhe Ura e Ibrit. Serbia do të kishte gjetur diçka. Problemi nuk është në Kosovë, por në Serbi”, ka thënë ajo gjatë emisionit.

Sips Kusari-Lilës, presidenti serb Aleksandar Vuçiq po përpiqet që të krijojë tensione si rezultat i pamundësisë që ta shantazhojë kryeministrin Albin Kurti.

“Vuciq është jashtë mundësisë për ta shantazhuar kryeministrin Albin Kurti”, ka thënë ajo.

Shefja e deputetëve të VV-së ka kritikuar partitë opozitare që kanë qeverisur gjatë viteve të mëhershme. Ajo i ka fajësuar ato që kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme për vendin.

“Janë këta që negociuan dhe i sollën këto marrëveshje. Sikur të kishim një diskurs tjetër politik, do të kishim të tjera rezultate”, ka thënë ajo. /GazetaExpress