




Kryeministri i vendit Albin Kurti, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, para nisjes ka thënë se në tavolinë janë dy propozime për të ecur para në raport me Serbinë.
Kurti ka thënë se propozimi i parë është ai për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes dhe propozimi i dytë, ai franko-gjerman, derisa ka paralajmëruar një takim të mundshëm trilateral mes tij, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.





“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë dhe paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë.
Kurti tha se në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, do të jetë bashkë me gruan e tij, Ritën dhe gjashtë anëtarë të kabinetit të tij. /Zëri