“Serbia po vendos kushte, dhe jo vetëm për targat, ndodhemi në një situatë të ” – paralajmëron deputeti i AAK-së

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj është deklaruar rreth zhvillimeve të aktuale në vend. Për dorëheqjet e zyrtarëve serbë, deputetë, policë e gjyqtarë nga institucionet e Kosovës. Për qasjen e Qeverisë Kurti karshi targave, përkatësisht mos-përfilljen e kërkesës së amerikanëve për shtyrjen e afatit për konvertim të targave ilegale në RKS.

Lekaj tha për Gazetën Insajderi se është krijuar një situatë e rrezikshme dhe se veprimet e serbëve po iu duken të planifikuara.

“Kjo është një situatë e rrezikshme, kemi kthim mbrapa para vitit 2013, kur në veri gjithçka kontrollohej nga strukturat paralele, të krijuara, të mbështetura dhe sponsorizuara nga Beogradi. I gjithë ky operacion i mirë-menduar i Serbisë ka hedhur në ajër marrëveshjet e Brukselit për integrimin e veriut dhe të qytetarëve tanë atje në institucionet dhe shtetin e Kosovës. Vetë fakti që dorëheqjet ishin të sinkronizuara dhe masive, madje para kamerave, siç ishte ajo me policët e policisë së Kosovës, me përkatësi etnike serbe, në veri, dhe të realizuara brenda 48 orësh në të dyja nivelet, qendrore dhe lokale, tregon se kemi të bëjmë me një plan, të menduar mirë dhe që po zbatohet pikë për pikë”, tha Lekaj.

Komentin e dha edhe për dorëheqjen e dhjetë deputetëve të Listës Serbe. Sipas tij, qëllimi i vetëm është të shaqen si ‘viktimë’ në sytë e Perëndimit.

“…po sillen dhe po veprojnë “në mënyrë demokratike”, duke mos pasur barrikada, protesta të dhunshme apo djegie të pikave kufitare, siç kemi parë më përpara, dhe në një përpjekje të qartë për t’i treguar Perëndimit dhe botës se ata janë “viktima” të politikave të shtetit të Kosovës. Kjo, jo vetëm që është një mashtrim i madh, por mbi të gjitha një lojë shumë, shumë e rrezikshme që synon të na godasë dhe të na armiqësojë me botën. Lista Serbe ka pasur që nga fillimi mbështetjen pa kufi të Beogradit zyrtar dhe ka qenë leva e tyre për të pasur monopolin mbi serbët e Kosovës”, ka thënë ai.

Lekaj duke folur për vendimin e qeverisë për targat për Insajderi tha se ka një pikëpyetje të madhe, që ka të bëjë me atë se nëse nëse qeveria dhe kryeministri ka rënë apo jo në këtë grackë të përgatitur siç thotë ai me kujdes nga Beogradi.

“Askush nuk e vë në dyshim që marrëveshja e arritur në Bruksel për targat duhet të jetësohet, duhet të zbatohet. Por ajo që po shohim është rezultati: Serbia po vendos kushte, dhe jo vetëm për targat”, u shpreh Lekaj.

“Beogradi kërkon tani që të mos zbatohet vendimi për targat dhe të krijohet Asociacioni i komunave serbe. Nëse deri dje diskutonim çështjen e targave veç, tani, Serbia ia doli që t’i bëjë bashkë, targat dhe Asociacionin, si dy kushte për kthimin e përfaqësuesve serbë në institucione. Madje, të dyja kërkesat janë tashmë pjesë e fjalorit politik dhe reagimeve, qoftë të SHBA-së, qoftë të BE-së. Më e pakta që mund të them, është se qeveria Kurti dhe Kurti vetë nuk e menaxhuan me mençuri situatën, përkundrazi, ia dhanë justifikimin që priste Beogradi, pavarësisht nga qëllimet e mira për zbatimin e marrëveshjes për targat.

Nënkryetari i AAK-së ritheksojë edhe njëherë rëndësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë për Kosovën. U shpreh se Kurti po e bën gabimin më të madh kur spo i dëgjon ata.

“…gabimi më i madh është të mos dëgjosh Shtetet e Bashkuara, dhe t’i japësh avantazh Serbisë, që të vendosë kushtet, duke nxjerrë veriun jashtë kontrollit tonë. Ne nuk mund ta kontrollojmë veriun vetëm me polici, dhe qeveria dhe Kurti vetë duhet ta dinë këtë”, potencoi Lekaj për Insajderi.

Lekaj nuk i kurseu kritikat ndaj Qeverisë Kurti duke thënë se i mungon profesionalizmi e mençuria.

Ai deklaroi se “fakti është se pas gjithë kësaj, rezultati i qeverisë Kurti dhe i politikave të tij, është: refuzim i kërkesës amerikane dhe të BE-së për shtyrjen e zbatimit të vendimit; serbët në veri nuk i kanë ndërruar targat; serbët në veri janë tashmë jashtë të gjitha institucioneve të Kosovës; strukturat paralele janë ringjallur edhe zyrtarisht; dhe Beogradi ka përfituar, duke vënë jo një, por disa kushte në tavolinë, përfshi Asociacionin e komunave serbe”.

Në krejt këtë situatë, deputeti i AAK-së u shpreh i bindur se po përfiton veç Beogradi.

“Nëse Kurti më thotë një përfitim, apo një situatë pozitive, në gjithë këtë rrëmujë, atëherë i them “bravo të qoftë”. Por në fakt, është e qartë se ka përfituar dhe po përfiton Beogradi, duke e kthyer situatën para vitit 2013 dhe veriun jashtë kontrollit tonë”, potencoi ai.