Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një intervistë në emisionin “Frontal” të T7 ka folur për mënyrën e funksionimit të komunave veriore në Kosovë pas largimit të serbëve.
Ai tha se deri tani nuk kanë pranuar asnjë ankesë për mospranim të shërbimeve, derisa i siguroi qytetarët në veri se do t’i pranojnë të gjitha shërbimet.
“Ne si MAPL kemi komunikuar edhe me ministritë tjera të linjës. E dini që shërbimet vetanake të komunës mund t’i ofrojë vetëm komuna mirëpo ka edhe kompetenca të deleguara dhe të zgjeruara të cilat mund të ofrohen nga ministritë e linjës. Është shumë e rëndësishme në këtë proces që të gjithë qytetarët që kanë nevojë për shërbime dhe të cilat janë esenciale, të kenë mundësi t’i pranojnë këto shërbime, dhe si ministri e qeveri jemi të interesuar që të garantojmë që të gjithë qytetarët që kanë nevojë për këto shërbime, të kenë qasje në to. Deri në këtë moment nuk ka asnjë ankesë nga qytetarët për mospranim të shërbimeve, por sidoqoftë këto procese tanimë janë në planifikim, dhe jam optimist që tqë gjitha shërbimet të cilat janë të deleguara për komunat në fjalë, qytetarët mund t’i kenë, certifikatat e lindjes, vërtetimet që iu duhen për pensione ose ndihma sociale. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë tona dhe do të orfojmë shërbime për qytetarët tanë”, tha ai.