Grupi punues për vizat mblidhet nesër, çka pritet nga ky takim

Grupi punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian do të mblidhet nesër, ka konfirmuar Presidenca çeke e Këshillit për Gazetën Express.

Në këtë mbledhje pritet të flitet për procesin e heqjes së vizave për shtetasit e Kosovës.

Në mbledhjen e grupit punues të vizave në Këshillin e BE-së, që u mbajt më 13 tetor, zyrtarët francezë raportohej se kishin kërkuar që procesi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.
Pas kësaj mbledhjeje, Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se një vendim për liberalizimin e viza për Kosovën pritet të merret kah mesi i nëntorit, apo fillimi i dhjetorit. Ajo shpresonte që ky vendim të jetë pozitiv.

Von Cramon tha se shpreson që të mos vendosen kushtëzime apo që procesi i liberalizimit të vizave të lidhet me ndonjë metodologji të re të Bashkimit Evropian.

“Vendimi do të jetë dikur kah mesi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit. Por, pyetja është që a do të çojë te një sistem i ri i kushteve për vizat, që do të ishte krejtësisht i padrejtë, apo përfundimisht do të shohim një datë për vizat”, ka thënë eurodeputetja gjermane gjatë një konference për media në Prishtinë, më 24 tetor. /Express/