Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se në drejtorinë rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut janë paraqitur afro 600 dorëheqje të zyrtarëve serbë.
“Zyrtarisht janë paraqitur 578 dorëheqje, prej të cilave 461 nga policia e rendit publik, 107 nga policia kufitare dhe 10 nga hetimi”, tha Sveçla në një konferencë për media.
Ai tha se policëve serbë u rrezikohet jeta nëse nuk japin dorëheqje, pasi janë të kërcënuar.
“Dorëheqjet po vijnë pas kërcënimeve dhe shantazheve, me ç’rast rrezikohet edhe ekzistenca e vetë këtyre zyrtarëve policorë në rast se nuk japin dorëheqja”, tha ai.
Sveçla: Asnjë aksion i policisë në veri s’ka qenë kundër serbëve por ndaj krimit të organizuar
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ka thënë se asnjë aksion i policisë nuk ka qenë i drejtuar ndaj serbëve.
Sveçla tha se për një vit në komunat veriore janë realizuar 38 operacione policore.
Ai theksoi se në këto aksione ka pasur edhe rezistencë të armatosur të grupeve kriminale.
“Asnjë aksion i policisë nuk ka qenë i drejtuar asnjëherë në etni të caktuara, veçanërisht jo ndaj etnisë serbe siç është propaganduar”, tha Sveçla.
“Pra, e vetmja etni të cilën po e luftojmë është ajo e krimit dhe korrupsionit. Krimi në katër komunat në veri ka qenë I zhvilluar e mirëmbajtur ndër vite. Krimin e kemi luftuar edhe në ato pjesë i kemi realizuar 38 operacione për një vit, janë shkatërruar pesë laboratorë të substancave, pajisje me vlerë 300 mijë euro, laboratorë të kriptovalutave”.
“Kemi mbyllur 11 rrugë që kanë mundësuar kontrabandën dhe trafikimin me qenie njerëzore. Në ato aksione natyrisht se kemi hasur edhe në rezidencë të grupeve kriminale, me armë dhe granata, duke pasur qëllim edhe eliminimin e policëve” – tha ndër të tjera Sveçla.