




Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajçinovci ka thënë se Serbia problemin kryesor e ka me propozimin franko-gjerman, që sipas tij, nuk e favorizon atë.
Bajçinovci ka thënë se propozimi franko-gjerman është i Brukselit dhe i përkrahur nga Uashingtoni.
Sipas tij, Serbia përmes krijimit të trazirave në Kosovë synon që ta refuzojë këtë propozim.
“Propozimi i Brukselit, me mbështetje të SHBA-së. Skenari kryesor është refuzimi i këtij propozimi të njohur si frranko-gjerman. Duan ta maskojnë refuzimin duke shkaktuar ndonjë trazirë”, ka thënë Bajçinovci në “DPT te Fidani” në T7.





Sipas Bajçinovcit, problemi në Kosovë është që po diskutohen targat.
“Në Kosovë është dashur të diskutohet refuzimi i marrëveshjes sepse ky ka qenë problemi kryesor”, ka deklaruar ai.
Bajçinovci ka thënë se sipas informacioneve që ka, Serbia ka problem me pikën 2 të propozimit.
“Për Serbinë, marrëveshja është jofavorizuese për Serbinë në pikën 2, që ka të bëjë me kartën e OKB-së, që pothuajse është njohje e Kosovës. Kur e ka parë këtë, Serbia po tenton të krijojë trazira”, ka thënë tutje ai.
Deputeti nuk beson që Serbia e ka guximin që t’ia mësyjë një invazioni në Kosovë.
“Invazion… jo nuk besoj. Serbia e di që invazioni sjell luftë. Institucionet e Kosovës janë në gjendje gatishmërie, këtu e kemi KFOR-in dhe EULEX-in”, ka thënë deputeti i VV-së. /GazetaExpress