Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra ka reaguar pas deklaratës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku tha se opozita dëshiron që Qeveria t’i lëshojë pe Serbisë dhe të përmbushen apetitet e Aleksandar Vucic.
Në një postim në Facebook Deliu-Kodra ka thënë se një diskurs i tillë përçarës është i patolerushëm.
”Paturpësi e skajshme nga Ministrja e Drejtësisë dhe pushteti në përgjithësi, të kualifikohet opozita si bashkëpunëtore e Serbisë e ushqyese e apetiteve të Vuçiqit,” ka shkruar ajo.
E ashpër ligjvënësja është treguar më tutje, ku thotë se ”i ka ra boja kamuflazhit me të cilin keni fshehur paaftësinë qeverisëse dhe qyqarllëkun në vendimarrje.”
Vlen të theksohet se pas kësaj deklarate të Albulena Haxhiut reagoi sot në mëngjes edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.