Lidhur me vendimin e serbëve në Kosovë që të largohen nga institucionet në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se kjo lëvizje nuk ka të bëjë me protestën për shkak të zbatimit të masave për riregjistrimin e veturave, transmeton InfoShqip.
Ai në Facebook ka bërë të ditur se që nga 1 nëntori janë dhënë 843 paralajmërime, që është masa e parë dhe shtoi se nuk ka pasur incidente apo ankesa.
Siç pretendon Kurti, tensionet e fundit në veri të Kosovës nuk kanë të bëjnë me rezistencën ndaj dënimeve si pjesë e riregjistrimit, zbatimin e të cilit Prishtina e ka paralajmëruar që nga 21 nëntori.
“Përfaqësuesit e Listës Serbe para një jave kanë paralajmëruar se do të bëjnë rezistencë të ashpër kundër dënimeve. Megjithatë, ata nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi filloi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës. Pra, diçka tjetër është në lojë”, shkruan Kurti.
Sipas “Kohës”, ai u bën thirrje të gjithë serbëve në Kosovë që të ruajnë paqen dhe sigurinë dhe të mos largohen nga institucionet në Prishtinë.
“Unë nuk jam kryeministër kundër jush, por Beogradi është kundër meje”, ka thënë Kurti./InfoShqip.com