“Nuk e di a kanë shku milionat në xhep të Lushtakut…”, Hysen Durmishi flet pas padisë së bërë nga Sami Lushtaku

Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se nënkryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku ka bërë mirë që e ka bërë padinë ndaj tij.

Në një bisedë telefonike, Durmishi ka thënë se të gjitha çështjet do t’i diskutojë në gjykatë, “kurdo që i fton gjykata”.

“S’kam koment për këtë, mirë që ka bërë padi. I diskutojmë këto çështje në gjykatë, kurdo që na fton gjykata”, tha zëvendësministri Durmishi.

Padia e Lushtakut ndaj Durmishit, erdhi pas një deklarate të këtij të fundit të bërë në ATV, ku tha se “ua kanë prish planet shumë grupeve të caktuara që kanë përfituar miliona prej Ministrisë së Infrastrukturës”, duke e përmendur edhe emrin e Sami Lushtakut.

“Na ja u kemi prish planet shumë grupeve të caktuara që kanë përfituar miliona prej Ministrisë së Infrastrukturës. Qe një shembull, unë mendoj se kush mund të jenë këta: prej Sami Lushtakut dhe njerëzve rreth tij e deri te Ramush Haradinaj dhe njerëzit e tij. Shembull, po flasim këtu dy kompani private e kanë bërë një dallaver me nja 30 mijë euro, por veç me kontratën e mirëmbajtjes na ia kemi pshtu buxhetit 30 milionë euro. Diku kanë përfundu kto 14 lloto, ne jemi duke i përfundu me 9 milionë euro, për 3 vjet bojnë 27 milionë euro, 57 u ka kështu në qeverisjet e kalume, 30 milionë euro kanë perfundu diku”, citohet të ketë thënë Durmishi.

Në padinë e siguruar nga Betimi për Drejtësi”, thuhet se Durmishi në mënyrë tendencioze ka vazhduar duke thënë: “nuk e di a kanë shku në xhep të Lushtakut apo Ramush Haradinajt, por që kanë shku në xhepat e njerëzve të Sami Lushtakut dhe Ramush Haradinaj jam i bindur”.

Sipas padisë, Lushtaku pretendon se një deklaratë e tillë do të ndikojë negativisht në emrin e mirë të cilin e ka krijuar ndër vite për vete, në besimin e qytetarëve të Komunës së Skenderajt si dhe degës së PDK-së, duke shtuar këtu faktin se gjatë lu. ftës ia ka qenë edhe gjeneral i UÇK-së.

Lushtaku në padi po ashtu potencon se deklarata e Durmishit i ka shkaktuar dëme në aspektin e moralit dhe dinjitetit dhe se i njëjti me qëllim ka tentuar që ta ekspozojë para turpit në komunitetin e tij.

Në këtë padi, Lushtaku i referohet Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit civil kundër shpifjes, fyerjes, pastaj Ligjit për Marrëdhëniet e detyrimeve dhe trajtimit të shpifjes dhe fyerjes nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.