




Ish kryediplomati dhe deputeti aktual i PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se pas luftës në Ukrainë, Kosova duhet të ripozicionohet dhe ta rimendojë politikën e jashtme.
Hoxhaj, duke folur në “DPT te Fidani”, ka thënë se pas luftës në Ukrainë për Kosovën prioritet duhet të jetë anëtarësimi në NATO. Sipas tij, ky synim, aktualisht është më i rëndësishëm se anëtarësimi në OKB.





“Pas luftës në Ukrainë, më me rëndësi është anëtarësimi i Kosovës në NATO se në OKB. Ky është një ripozicionim i Kosovës për qëllime afatshkurtra dhe afatmesme, pa hequr dorë nga qëllimet e mëdha. Nuk e kuptoj kryeministrin Kurti pse nuk e vlerëson drejt situatën. Për ne duhet të jetë jetik anëtarësimi i Kosovës në NATO”, ka deklaruar ai.
Lidhur me dokumentin franko-gjerman, Hoxhaj ka thënë se nuk duhet të krijohet shumë mjegull rreth tij.





Ai ka thënë se prapa draftit qëndrojnë SHBA dhe BE.
“Ne nuk do të duhej të krijojmë shumë mjegull në interpretimin e këtij dokumenti, sepse prapa këtijd dokumenti është Amerika dhe BE”, ka deklaruar tutje Hoxhaj.
Anëtarësimi në NATO do të ishte fitorja e tretë e madhe për Kosovën pas marsit të vitit 1999, ka thënë Hoxhaj.
E, sipas tij, kjo është e mundshme nëse Serbia e refuzon procesin e dialogut.
“Nëse Serbia i thotë jo procesit, jam i sigurt që ne përfundojme me një kontratë me perëndimin i cili do të ishte, hapja e Kosovës për anëtarësim në NATO. Kjo do t’i zvogëlonte përpjekjet hegjemoniste serbe. Pas marsit ’99 kjo do të ishte fitorja jonë e tretë e madhe”, ka deklaruar ai. /GazetaExpress