Analisti Dukagjin Gorani ka thënë se përmbajtja e proceseve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe marrëveshjes potenciale, nuk ka ndryshuar as me këtë qeveri, përkundër ndryshimeve në gjeopolitikën ndërkombëtare. Ai, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të bëhet.
“Zajednicë ke me pasë, atë s’e vë kush në dyshim, mirëpo çfarë lloj kompetencash… p.sh a do të shtrihet edhe në jug, a do të jetë koncept territorial apo ligjor”.
Në këtë proces, ka thënë Gorani, është me rëndësi të dihet se në cfarë faze të procesit vijnë benefitet e synuara nga palët.
“Me rëndësi do të jetë qikjo, a vijnë këto privilegjet, ose këto karamelet, lehtësimet në kuptimin e heqjes së vizave, a vijnë para, gjatë apo pas procesit. Çështja e njohjes dhe mosnjohjes nga Serbia, çfarë fitojmë e çfarë humbin nga mosnjohja. Nëse për shembull krejt ky proces që përfshin Këshillin e Evropës, liberalizimin e vizave e këto… punë e madhe që s’na njeh Serbia edhe 100 vjet. Mirëpo, kjo s’ka qenë problem as 10-15 vjetësh”, ka deklaruar tutje ai.
Gorani ka vërejtur se janë dy situata që po zhvillohen në drejtime të kundër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse e shikon formalisht, drafti franko-gjerman dhe njëfarë konstruktiviteti i palëve po vërehet. Nëse shkon sonte në veri të Kosovës dhe e sheh situatën në terre, pas këtij problemi me targa, ti e sheh që situata është kah zhvillohet në drejtime të kundërta. Në rrafshin teorik-politik gjithçka po shkon si duhet, në anën tjetër je në situatë ku qeveria e Kosovës kurrë s’ka pasur nivel më të ulët komunikimi me serbët e Kosovës”, ka thënë Gorani.