Kajtazi: Abdixhiku në Amerikë është ftuar si kryeministër i ardhshëm i Kosovës

Gazetari, Vehbi Kajtazi ka thënë se Lumir Abdixhiku është ftuar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), shkruan Paparaci.

Kajtazi përmes një postimi në Tëitter ka shkruar se Abdixhiku nuk është ftuar në cilësinë e kryetarit të LDK-së por në atë të kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.

DERISA ALBIN KURTI REFUZON KERKESAT AMERIKANE, LUMIR ABDIXHIKU FTOHET PER VIZITE NE WASHINGTON. ABDIXHIKU NUK ESHTE THIRRUR SI KRYETAR I LDK-SE, POR SI KRYEMINISTRI I ARDHSHEM I KOSOVES TEK I CILI BESON ALEATI JONE, AMERIKA.

— VEHBI KAJTAZI (@VEHBIKAJTAZI) NOVEMBER 1, 2022

Ndryshe, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është shprehur i zhgënjyer me vendimin e fundit të Qeverisë për targat.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për ta bërë një gjë të tillë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit menjëherë pas vendimit të ri për targat.

SHBA-ja më herët kishte bërë të ditur se është kërkesë e saj dhe e Bashkimit Evropian që Kosova ta shtyjë afatin për riregjistrim për dhjetë muaj.

Ky reagim i SHBA-së pasoi miratimin nga Qeveria e Kosovës të një plani për zbatimin e vendimit për targat, që parashihet të zgjasë deri më 21 prill. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim nuk është shtyrje e afatit për targat.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premten gjatë mbledhjes së Qeverisë.