Fitore Pacolli nga VV: Amerika mund të shqetësohet, por ne jemi shtet i pavarur dhe marrim vendimet vetë

November 1, 2022

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka deklaruar se nuk janë rrezikuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me planin për të shkallëzuar zbatimin e vendimit për targat.

Pacolli në RTV Dukagjini, deklaroi se ShBA-të “kanë të drejtë të shqetësohet”, por sipas saj, Kosova po vepron si shtet.

“Mund të shqetësohen, kanë të drejtë, por shteti i Kosovës ka treguar se do të veprojë si shtet i pavarur dhe do të vendosë rend dhe rregull në secilën pjesë të vendit”, ka thënë ajo.

Tutje, deputetja e partisë në pushtet deklaroi se nuk i rrezikojnë marrëdhëniet me SHBA-në “për pikë të qefit”.

Veç kësaj, ajo tha se Qeveria do të vazhdojë me vendimet e saj, duke theksuar se edhe ky i fundit, ishte i “ligjshëm”.

“Ne nuk themi se nuk kemi nevojë për partnerët ndërkombëtarë, nuk themi se do i rrezikojmë marrëdhëniet për pikë të qefit. Jo (nuk rrezikon marrëdhëniet). Nuk ka gjasa, për shkak se ne respektojmë deri në pikën e fundit të drejtat e njeriut. Kështu që, të vazhdojmë tutje me vendimet tona, është vendim i ligjshëm”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, të premtën e javës së kaluar pasi kryeministri Kurti dha lajmin për vendimin e fundit të Qeverisë në lidhje me targat, Departamenti amerikan i Shtetit doli me komunikatë për media, ku theksoi se janë të zhgënjyer dhe të shqetësuar.

Veç kësaj, edhe sekretari amerikan, Antony Blinken tha se vendimi për targat do të duhej të shtyhej ashtu siç ishte kërkuar.

Një reagim të njëjtë, ka bërë edhe Bashkimi Evropian kur përveçse u shprehën të zhgënjyer, deklaruan se vendimi nuk është marrë në koordinim me ata.