Paralajmërohet vendosja e barrikadave në veri të Kosovës, serbët nuk ndryshojnë qëndrim për targat

Kryetari i Mitrovicës Veriore, Milan Radojeviq, ka deklaruar se nuk mund ta imagjinojë një situatë ku Policia e Kosovës gjobitë një autoambulancë apo autobus që transporton fëmijë, e që serbët të qëndronin menjëanë vetëm për shkak se kishin targa “KM”.
Sipas Radojeviq, me ato targa ata mund të udhëtojnë kudo në botë përveç Kosovës, “për shkak të vendimeve nga një njeri nga Prishtina”.

Ndryshe autoritetet e Kosovës kanë filluar zbatimin e masave të reja për ri-regjistrimin e automjeteve që posedojnë targa “KM,GL,PR,PZ” e të tjera.

Është bërë e ditur se ri-regjistrimi është i mundshëm deri më 21 prill të vitit të ardhshëm, ndërsa nga 21 nëntori vozitësit do të gjobiten me 150 euro nëse automjetet e tyre kanë targa ilegale.

Radojeviq tha se Policia e Kosovës në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, ka filluar shpërndarjen e fletëqortimeve, por sipas tij është e sigurt se kjo nuk do të ndryshojë qëndrimin e serbëve në Kosovë.

“Serbët në veri të Kosovës realisht nuk janë kërcënim për askënd, ne duam të jetojmë një jetë të denjë për njeriun. Nuk do të ketë incidente apo probleme nga ana jonë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë në fakt në teren”,tha ai, transmeton lajmi.net.

Ai shtoi se qytetarët janë të vendosur që mos të bëjnë asnjë ndryshim sa i përket targave.

“Pyetja është se si do të zbatohej ai vendim në teren, sa i përket shkrimit të dënimeve. Unë kam besim absolut te njerëzit në Drejtorinë Rajonal të Veriut dhe mendoj se do të marrin vendimin e duhur në interes të njerëzve”,shtoi ai.

“Shpresojmë që në këto tri javë, bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion shtesë në Prishtinë dhe të ulë tensionet. Jemi dëshmitarë të këmbënguljes së Albin Kurtit për të vazhduar, me zbatimin e këtij vendimi”,tha Radojeviq.

Ai tha se nuk mund t’i bëjnë Prishtinës më shumë presion se sa kanë bërë deri më tani.

“Fakti është se kemi komunikim me përfaqësuesit ndërkombëtarë. Me zbatimin e kësaj dispozite vetëm sa i kontribuon përkeqësimit të situatës së sigurisë”,tha ai.

Sipas tij, serbët nuk janë kërcënim për askënd.

Duke shkuar edhe më tutje, i pari i veriut të Mitrovicës nuk ka përjashtuar mundësinë e barrikadave, por ka theksuar se paqja dhe stabiliteti janë në interes të serbëve.