Interesimi për blerjen e patundshmërive, viteve të fundit, sipas Bankës së Shqipërisë dhe Dhomës së Tregtisë, është shtuar për zonat e jugut. Blerësit kryesorë, sipas raportit të tyre, janë diaspora e Kosovës në Zvicër e Gjermani, por edhe shtetas të Republikës Kosovës. Krahas qytetarëve nga Kosova, për pronat e zonës së Vlorës janë të interesuar edhe rusët e ukrainasit, ndërsa në Sarandë interesim të shtuar kanë shtetasit e Serbisë
Pasi kanë “konsumuar” Shëngjinin e pjesërisht edhe Durrësin, që mbeten e destinacionet kryesore për pushime, blerje të pronave e hapje të bizneseve, shtetasit e Kosovës, përfshirë diasporën e saj, viteve të fundit për të njëjtat qëllime, ia kanë mësyrë jugut të Shqipërisë. Në raportin e Bankës së Shqipërisë, por edhe nga të dhënat e Dhomës së Tregtisë, bëhet e ditur se krahas shtetasve të Republikës së Kosovës, për pronat e zonës së Vlorës janë të interesuar rusët dhe ukrainasit, ndërsa për ato të Sarandës, edhe serbët.
Lungomare në Vlorë mbetet zona më e preferuar për investitor të jashtëm. Çmimet e apartamenteve në Lungomare thuajse janë trefishuar dhe janë bërë të papërballueshme për banorët vendas, por jo edhe për të huajt. Nga 500-600 euro për metër katror në Lungomare sa ka qenë më parë, tani ka arritur në 1500 euro/m2, por edhe 2000 euro/m2, por kjo, sipas të dhënave zyrtare, nuk e ka ulur fuqinë blerëse.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë në Vlorë, Arben Breshani, ka thënë se rritja e çmimit të lëndës së parë për ndërtimin e apartamenteve nga 30-50% ka çuar në rritjen e kostos së ndërtimit. Sipas tij, pavarësisht çmimeve të larta, nuk mungon kërkesa në treg.
“Janë emigrantët, kryesisht kosovarët e Zvicrës e Gjermanisë, por edhe rusët dhe ukrainasit ata që po blejnë shtëpi të reja në bregdetin e Vlorës”, ka thënë Breshani. “Zona më e kërkuar është ajo e Lungomares. Kërkesa nga vendi s’ka shumë, shumica janë nga emigrantët dhe shtetasit e huaj. Kosovarët e Zvicrës dhe Gjermanisë, por ka edhe shtetas të huaj, ukrainasit dhe rusët po hulumtojmë blerje banesash. Oferta në qytet është shumë e madhe ndaj duhet të jepen më shumë leje ndërtimi për njësi banimi dhe hoteleri”, ka bërë të ditur më tej Breshani.
Deri më tani, Shëngjini është plazhi tradicional i Kosovës dhe kur bëhet fjalë për 65-70% të pushuesve në Shëngjin janë nga Kosova. Dhoma e Tregtisë në Lezhë ka bërë të ditur po ashtu se 30% e bizneseve në plazhin e Shëngjinit janë me pronarë nga Kosova, ndërsa 40% të apartamenteve në plazhin e Shengjinit kanë për pronarë shtetasit nga Kosova. E së fundi interesi i qytetarëve nga Kosovës, kryesisht diasporës së këtij vendi, është edhe jugu i Shqipërisë.
Por krahas tyre janë të interesuar edhe rusët e ukrainasit. Rusët kanë të preferuar Vlorën edhe për biznes. Në Vlorë gjenden të regjistruara 23 kompani ruse, nga 34 kompani që janë në Tiranë, 9 në Durrës dhe 2 në qarkun e Beratit. Nga 68 të tilla, 63 janë me pronësi 100% të huaj, pra ruse në rastin konkret, ndërsa vetëm 5 janë në bashkëpronësi me sipërmarrës shqiptarë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, u është drejtuar me 3 maj të këtij viti deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkoi nga Shqipëria që t’i mbyllë portet për anijet ruse dhe ta kufizojë ardhjen e turistëve rusë dhe të kufizohet tregtia me Rusinë.
“Bankat ruse duhet të shkëputen plotësisht nga sistemi financiar global. Sado e vështirë të jetë, duhet të kufizohet qëllimisht tregtia me Rusinë. Ju kërkoj t’i mbyllni portet për anijet ruse, të kufizoni ardhjet për turistët rusë… Ndoshta vijnë vrasës të Buçës apo të Irpinit”, pati thënë Zelenskyy, duke iu referuar qyteteve ukrainase, ku forcat ruse dyshohet se kanë kryer krime të rënda.