Kryeministri Edi Rama shpenzon në një fluturim me avion privat aq sa kryeministri i Kosovës i ka shpenzuar për udhëtimet në një vit. Teksa kostoja e fluturimeve të Ramës përllogaritet në 20 milionë euro apo 2.5 milionë euro në vit, Albin Kurti për udhëtimet jashtë vendit, në një vit shpenzon vetëm 6900 euro.
Në një kohë që kryeministri Edi Rama udhëton me avion privat për vizitat jashtë vendit, duket se liderët e rajonit nuk ia lejojnë vetes një luks të tillë.
Kosova, që është edhe shteti më i ri në rajonin tonë, është edhe shteti me transparencën më të lartë sa i përket shpenzimeve qeveritare. Nëse do të bënim një krahasim të udhëtimeve të dy kryeministrave, diferenca e shpenzimeve për udhëtime dhe luks është shumë e lartë.
Në 8 vitet e qeverisjes, shpenzimet e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama vetëm për udhëtimet me avionin privat përllogariten në 20 milionë euro apo e përpjestuar, përllogaritet në 2.5 milionë euro në vit.
E kundërta ndodh me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Në një vit, në periudhën prill 2021 deri në prill 2022, për udhëtimet jashtë vendit, Albin Kurti ka shpenzuar vetëm 6916 euro.
Kjo shifër e ulët lidhet me faktin, se teksa kryeministri shqiptar në çdo udhëtim jashtë vendit përdor avionin privat, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, udhëton me avion të linjës në klasin ekonomik. E duket se edhe shpenzimet e akomodimit dhe shpenzimet për takimet zyrtare të kryeministrit të Kosovës janë në nivelin minimal.
Për një vit, këto shpenzime përllogariten 19256 euro, shifër kjo shumë herë me e vogël edhe se veç një udhëtim me avion privat të kryeministrit shqiptar.
Por duket se kjo diferencë mes dy kryeministrave është edhe në politikat qeverisëse.
Teksa në këtë periudhë krize, qeveria e Kurtit ka miratuar paketë ndihme direkte për familjet, të moshuarit e studentët, qeveria shqiptare nuk ka miratuar asnjë paketë ndihme, duke u justifikuar me faktin se ndikimi tek qytetarët do të jetë duke mos rritur çmimin e energjisë, premtim ky i shkelur këtë javë me katërfishimin e çmimit për afro 90 mijë familje.