Numri i shqiptarëve në Serbi, Mustafi i reagon Vuçiqit: Jemi mbi 100 mijë

Aktivisti politik i shqiptarëve në Serbi, Reagim Mustafi, ka reaguar lidhur me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për numrin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, raporton Gazeta10.

Ai ka thënë se deklaratat e tij nuk i ndihmojnë procesit të regjistrimit si dhe nxisin tensionim të situatës.

Më tej, Mustafi ka thënë se në Serbi janë mbi 100 mijë shqiptarë dhe se kjo do të dëshmohet edhe përmes procesit të regjistrimit.

Ai ka ftuar edhe monitoruesit ndërkombëtar që të mos lejojnë shtrembërim të procesit.

Këtu keni statusin e plotë:

“Z.Vuçiq, shqiptarë në Luginë nuk janë aq sa ju dëshironi, nuk janë as 1118 shqiptar sa keni pretenduar për vite, janë shumë, shumë më shumë.

Në një prononcim Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, paska thënë që “pas regjistrimit, i cili është në vazhdim, nuk do të dihet më numri i saktë i shqiptarëve në Serbi, sepse shumë familje në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë regjistrojnë anëtarë që nuk jetojnë në Serbisë.”

Deklaratat e tilla, përveç se nuk ndihmojnë procesit të regjistrimit e nxisin tensionim të situatës, madje është parapërgatitja e valës së re të kontestimit të numrit të saktë e të vërtetë të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Z. President nuk janë 5809 shqiptar në Serbi, nuk janë 1118 shqiptar në Luginë sipas statistikave zyrtare të vitit 2011.

Deklarimet e tuaja nuk mund të kuptohen ndryshe përveç se në shërbim të devijimit të numrit real të shqiptarëve në përfundim të procesit regjistrimit popullsisë. Nuk mund të jenë të shkëputura nga pengesat e paraqitura në Medvegjë.

Z.President, lexoni kushtet për regjistrim, të informoheni para se të jepni deklarata tendencioze në të cilat sulmoni një komunitet i cili është i shtypur vazhdimisht!

Ne jemi shumë më shumë, jemi mbi 100 mijë shqiptarë në Luginë. Kështu do ta thotë edhe regjistrimi i popullsisë në regjistrin zyrtar të Entit të Statistikave Republikane.

Ftojë bashkësinë ndërkombëtare të monitorojë dhe të mos lejojë shtrembërimin e shifrave në përfundim të procesit regjistrimit popullsisë”, ka shkruar Mustafi në llogarinë e tij në Facebook.