




Deputeti francez në Parlamentin Evropian, Nicolas Bay, përmes llogarisë së tij zyrtare në Twitter ka goditur Kosovën derisa ka shëtitur nëpër qytetet e saj. Bay ka qëndruar në Ballkan për tre ditë, konkretisht në Serbi dhe në Kosovë, ku edhe ka vizituar disa monumente kulturore e historike në vend, prej të cilave ka nisur propagandën e fuqishme kundër Kosovës.
Me mbi 21 postime për tre ditë ai e ka quajtur Kosovën “djep të Serbisë”, e objektet kulturore, fetare e historike si pjesë të këtij shteti por të okupuara nga shqiptarët. Në cicërimën e tij të fundit ai me disa fotografi të publikuara nga manastiri në Graçanicë, thotë se pavarësisht “pushtimit të shqiptarëve”, ky vend mbetet i shenjtë dhe u mundëson serbëve të rrënjosin veten në identitetin e tyre.
“Manastiri i Graçanicës është një nga më të rëndësishmit për ortodoksët. Pavarësisht pushtimit shqiptar, ky vend i shenjtë u mundëson serbëve të rrënjosin veten në besimin dhe identitetin e tyre. Një xhevahir i qytetërimit tonë”, shkruan ai në fotografitë e publikuara në llogarinë e tij zyrtare nga manastiri i Graçanicës.





“Kosova është zemra e kombit serb. Është djepi historik i Serbisë”, kështu e nisë shkrimin e tij tjetër në Twitter, përsëri nga manastiri ku me një video ju drejtohet mbi 103 mijë ndjekësve të tij në Twitter, transmeton Gazeta Infokus.
Vizitën e tij tre ditore në Ballkan deputeti e nisi në Beograd, me 27 tetor.