Zyrtari i lartë i PDK-së, Betim Gjoshi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ky i fundit dhe vartësit e tij, nuk kanë treguar pjekuri politike në trajtimin e kërkesave të miqve dhe aleatëve të Kosovës.
Kështu ka thënë Gjoshi përmes një postimi në Facebook, ku ka shtuar edhe se, Kurti prej disa muajsh, më shumë sesa me Serbinë dhe Vuçiqin, ka bërë betejë më miqtë ndërkombëtarë dhe veçanërisht amerikanët.
“Prej disa muajsh, Albin Kurti, më shumë sesa me Serbinë dhe Vuçiqin, ai ka bërë betejë me miqtë ndërkombëtar dhe veçanërisht amerikanët. Ai dhe vartësit e tij direkt nuk kanë treguar pjekuri politike në trajtimin e kërkesave të miqëve dhe aleatëve të Kosovës”, ka thënë ndër tjerash Gjoshi.
Postimi i plotë:
Prej disa muajsh, Albin Kurti, më shumë sesa me Serbinë dhe Vuçiqin, ai ka bërë betejë me miqtë ndërkombëtar dhe veçanërisht amerikanët. Ai dhe vartësit e tij direkt nuk kanë treguar pjekuri politike në trajtimin e kërkesave të miqëve dhe aleatëve të Kosovës.
Kjo mënyrë e të bërit politikë, po na largon nga bashkëpunimi me aleatët, me të cilët politikanët e mençur nuk konfrontoheshin asnjëherë në të kaluarën dhe aq më pak në publik, siç po bënë Kurti.
Pra, Kryeministri Kurti, as nuk po e zbaton vendimin e Qeverisë dhe as nuk po i mirëmban raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendimi i orëve të fundit se fillimisht poseduesit e targave ilegale do të qortohen nuk është zbatim i vendimit/marrëveshjes, por më shumë po e shndërron Kosovën në një republikë komike, si brenda, por edhe jashtë në raport me aleatët.
Edhe 21 nëntori 2022 edhe 21 prilli i vitit 2023 do të vije shpejt dhe do të jemi në situatën e njëjtë. Në këtë situatë kemi qenë edhe në fund të muajit korrik dhe kemi paralajmëruar se Kurti do të sillet njësoj edhe në fund të shtatorit e tetorit.
Kështu ndodhë kur vendi drejtohet nga një kryeministër i papjekur që interesat e Republikës së Kosovës, në këtë kohë të përplasjeve të mëdha globale, i ka reduktuar në targa.