Cristiano Ronaldo e ka injoruar ish-bashkëlojtarin Gary Neville para ndeshjes ndërmjet Manchester Unitedit dhe West Ham Unitedit që u zhvillua të dielën.
Superylli portugez është kritikuar së fundmi nga miku i vjetër, pas refuzimit për t’u inkuadruar në minutat e fundit ndaj Tottenham Hotspur.
Dhe është e ditur se 37-vjeçari nuk fal shumë lehtë. Ai dukej i disponuar kur hyri në fushë për të bërë nxehje, në të takimin në të cilin ishte startues.
Ronaldo pati një bisedë me ish-bashkëlojtarin Louis Saha, me të cilin ka luajtur në të kaluarën në Old Trafford. Më pas, shkoi për ta përshëndetur ish-lojtarin e Liverpoolit dhe Tottenhamit, Jamie Redknapp.
Ndërsa në fund vendosi të vraponte drejt fushës duke mos e përshëndetur Nevillen, i cili ishte në radhë për t’i folur.
Veprim të ngjashëm CR7 kishte bërë edhe në muajin gusht para ndeshjes ndaj Liverpoolit. Asokohe i kishte përshëndetur Roy Keane dhe Neville, por jo edhe Jamie Carragherin.
“Mirë se erdhe në klubin e të lënëve bosh nga Ronaldo, Gary Neville”, ka shkruar legjenda e Redsave në Twtter.
Manchester Unitedi e fitoi ndeshjen ndaj West Hamit me një gol të Marcus Rashfordit, ndërsa Cristiano luajti deri në fund. /Telegrafi/