Bujar Bukoshi, ish kryeministër i Qeverisë së Kosovës në mërgim e më pas pjesëmarrës aktiv në jetën politike duke qenë ministër dhe zëvendëskryeministër në Kosovën e pasluftës, e prej vitesh i tërhequr nga skena politike ka folur për situatën aktuale politike në Kosovë.
I pyetur për mundësinë e arritjes së një marrëveshje finale me Serbinë, Bukoshi ka thënë se nuk do të dëshironte të ishte në pozitën e kryeministrit aktual, Albin Kurti.
Bukoshi në një intervistë dhënë për Gazetën Tema ka thënë se Kurti po sillet sikur ta kishte në dorë fatin e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian.
Bukoshi thotë se Kurti nuk e ka betejën me shqiptarët.
“E ka me Serbinë dhe punën herkuliane ta bindë Bashkësinë ndërkombëtare. Shqiptarët ia kanë dhënë atij një mandat ta përmbyllë këtë punë. Ai nuk mund të abuzojë me faktin që nuk ka kundërshtarë të fortë. Armiku më i madh i tij tani është vet ish Albin Kurti i para fitores. Ai që nuk njihte Republikën, pavarësinë, dhe marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës. Tani ky Albin Kurti kryeministër duhet “të vr. asë” së pari Albin Kurtin opozitar e pastaj të mendojë si t’i mundë kundërshtarët e tjerë. Dhe nuk është aq e lehtë të vrasësh vetveten. Dhe ajo do një farë burrërie”, ka deklaruar Bukoshi.