Për zgjidhjen e problemi të Kosovës dhe Serbisë, tashmë është propozuar plani franko-gjerman, plan ky që mund të sjellë një marrëveshje Kosovë-Serbi.
Megjithatë, ky plan, nuk po shihet që është i duhuri për Kosovën.
Kështu e ka konsideruar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në ‘Konferencën e Sigurisë’ gjatë ditës së djeshme që është mbajtur në Beograd.
Bislimi tha se ky propozim më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë sesa të Kosovës, pasi sipas tij, nuk paraqet marrëveshje finale e as s’përfshin njohje reciproke në këtë fazë.
“Iniciativa franko-gjermane s’është domosdoshmërisht modeli i ‘dy Gjermanive’, por ‘Gjermani-Gjermani minus’, sepse disa pjesë të rëndësishme të asaj marrëveshje s’janë të përfshira në këtë iniciativë. Duhet ta themi se që nga fillimi pengesa kryesore në dialog ka qenë divergjenca mes qëndrimeve të të dyja palëve. Për ne është me rëndësi të ketë dokument final me njohjen reciproke në qendër. Për Serbinë është që të mos ketë dokument final e të mos ketë njohje reciproke. Prandaj nga kjo perspektivë do të thosha se propozimi franko-gjerman më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje finale e as s’përfshin njohje reciproke në këtë fazë”, ka thënë Bislimi.Se ky plan nuk është i duhuri për Kosovën, e thotë edhe juristi dhe njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Blerim Burjani.
Ai konsideron se modeli franko-gjerman është i rrezikshëm për paqen herët a vonë.
Sipas tij, ky është model i paqes së përkohshme dhe i konfliktit të ngrirë të përhershëm.
Burjani thotë se ky model nga Kosova duhet të marr një “Jo”.
“Modeli gjermano-francez është i rrezikshëm për Kosovën nga aspekti kushtetues dhe politik. Ky model nuk është i pastër gjerman, por është model hibrid, i përpunuar dhe në vete bartë rreziqet. Ky model nuk paraqet zgjidhje, por paraqet konflikt të ngrirë me mundësi lufte përsëri, model i rrezikshëm, sepse nuk ofron zgjidhje të përhershme, por ofron zgjidhje parciale, tranzitore, më shumë model pro serb për të lutur Serbinë dhe joshur atë për të mos ia humbur shpresat për Kosovën”, shprehet Burjani.
Se ky plan nuk është i mirë e ka thënë edhe publicisti Gani Qarri.
“Trysnia aktuale ndaj Kosovës për koncesione të reja në favor të Serbisë, si nga përfaqësuesi i lartë amerikan Escobar, ashtu edhe nga Lajçak dhe funksionarët tjerë të lartë evropian në BE, ka filluar të arsyetohet me zhvillimet aktualisht kaotike në Evropë, për të cilat Kosova e vogël, nuk ka asnjë faj dhe kurrfarë mundësie ta ndryshojë, por megjithatë, siç u shpreh në një konferencë për media në Prishtinë edhe zonja Viola von Cramon, drafti franko-gjerman, po konsiderohet nga ata, si mundësi e “mirë”, që në fakt për Kosovën nuk është krejt e tillë, përderisa në të nuk figuron njohja reciproke, edhe nëse arrihet çfarëdo marrëveshje tjetër, me Serbinë”, thotë Qarri.